Arbëri

Vazhdimi i seancës për demarkacionin shtyhet për të mërkurën

[12:10] - Kuvendi i Kosovës ka vendosur që seanca për demarkacionin të shtyhet për të mërkurën në orën 10.

Këtë ditë në Kosovë pritet të jetë edhe një delegacion i lartë i BE-së.

Pas debateve rreth vazhdimit të seancës së radhës së Kuvendit, përkundër propozimi të partive që seanca të mbahet të hënën, deputetët votuan që seanca për demarkacionin të mbahet të mërkurën në orën 10.

Kjo ishte kërkesë e LDK-së e cila insistoi që në seancë të jetë i pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj, i cili të hënën do të jetë në një udhëtim zyrtar në Londër.


Vetëvendosje nuk shkon në takim me Veselin

[11:51] - Lëvizja Vetëvendosje, siç raporton KTV, nuk ka shkuar në takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Shefat e grupeve parlamentare janë në një takim konsultativ me Veselin pas pauzës së Kuvendit që u shkaktua nga fjalët fyese që kryeministri Ramush Haradinaj ua tha deputetëve të LDK-së.


Shala: Nuk kemi argumente të ndryshme, kemi qëndrime të ndryshme politike

[11:19] - Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, ka thënë se nuk bëhet fjalë për argumente të ndryshme rreth projektligjit për demarkacion, por për qëndrime politike rreth tij.

Ai ka theksuar se nuk mund të ratifikohet ligji për të cilin thuhet se me të është bërë tradhti kombëtare dhe as raporti i Komisionit të Bulliqit, i cili thotë se Kosova është dëmtuar me territor.

“Kryeministër na respektoni si opozitë dhe si deputetë që ta keni edhe ju respektin e opozitës dhe të deputetëve”, ka thënë Shala.

Në ndërkohë ka filluar një pauzë e Kuvendit dhe në konsultime kanë shkuar kryetarët e grupeve parlamentare bashkë me kryetarin e Kuvendit.


Haradinaj insiston për raportin Bulliqi

[11:51] - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e LDK-së që të sqarojnë përse nuk dëshirojnë përfshirjen e raportit të Komisonit Bulliqi.

“Sot keni para vetes një ligj që ka tri shtylla. Marrëveshjen e juve, deklarata e presidentëve. Përse nuk po u pëlqen raporti i Komisionit Bulliqi. Vetëm tregoni përse”, ka pyetur Haradinaj deputetët e LDK-së

Në replikën e tij paraprake, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ka mbetur te qëndrimi se me projektligjin për ratifikimin e demarkacionit, nuk duhet të futet në asnjë mënyrë raporti i Bulliqit. Ai ka thënë se raporti mund të jetë joformal dhe assesi obligativ për shtetin.


Haradinaj deputetëve të LDK-së: Marre ju qoftë

[11: 05] -Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu ka drejtuar me fjalë fyese deputetëve të LDK-së lidhur me raportin e Shpejtim Bulliqit.

“Marre ju qoftë. Jeni kundër një raporti që tenton të gjejë gabimet për territor. Jeni të gatshëm që të falni tokë. Sa të jem unë kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Haradinaj, duke iu referuar raportit që ai si kryeministër e krijoi për të kontestuar Komisionin e Murat Mehës rreth demarkacionit.


AAK-ja insiston në përfshirjen në pako edhe raportin e Bulliqit

[10:59] - Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka insistuar që në pakon e projektligjit për ratifikimin e demarkacionit të futet edhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit.

“Kemi një projektligj që saktëson elementet që kanë qenë të kundërshtuara për shkak të gabimeve që ka ndodhur, prandaj marrëveshja me dokumentacionit të komisioneve qeveritare dhe deklaratave të presidentëve, hap rrugën për korrigjim dhe ne jemi angazhuar që të bëhet korrigjimi që është pranuar edhe nga Mali i Zi”, ka thënë Isufi.


Krasniqi: PDK është unike rreth marrëveshjes për Demarkacionin

[10:56] - Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se tash kur janë pranë për ta pasur shumicën për ratifikimin e kësaj marrëveshje, është për keqardhje që të ketë dallime në finesa të terminologjisë për të arritur në një tekst të përbashkët që i adreson recepcionet e secilit grup parlamentar.

PDK sipas Krasniqit ka qenë konsistente në qëndrimin e vet dhe unike në mbështetje të marrëveshjes së demarkacionit, veçanërisht pas marrëveshjes së dy presidentëve që i adresojnë shqetësimet që kanë pasur të tjerët.


LDK-ja kundër shmangies së procedurave për ratifikim të demarkacionit

[10:54] - Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për ratifikimin e demarkacionit pa raportin e Komisionit “Bulliqi”.

Ai ka apeluar që të respektohet procedura për ratifikim të marrëveshjes dhe të arrihet konsensusi i nevojshëm për ratifikimin e demarkacionit.


Konjufca: Më i rëndësishëm është territori sesa liberalizimi i vizave

[10:51] - Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se është shumë më e rëndësishme ruajtja e territorit të Kosovës sesa liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Pse po kërkoni që opozita të votojë për demarkacionin? Për këtë le të vendos ai që ka vënë nënshkrimin në marrëveshje. Opozita nuk është përgjegjëse”, ka thënë Konjufca.

Në fund Konjufca ka konstatuar se për humbjen e territorit duhet të pyetët populli dhe jo ai që ka vënë nënshkrimin.


Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për demarkacionin

[10:45] - Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritet të dalë në votim marrëveshja e demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në sallë janë të pranishëm 93 deputetë.

Nëse marrëveshja e demarkacionit nuk kalon, Kuvendi për dhjetë ditë nuk ka të drejtë që ta kthejë në votim.


LDK-ja përkrah demarkacionin, fton partitë për votim

[10:28] - Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij do ta mbështesë marrëveshjen e demarkacionit me deklaratën e përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi.

Hoti ka thënë se demarkacionin do të duhej ta votonin partitë shqiptare, pa pasur nevojë për 10 votat e Listës Serbe.

Ai po ashtu ka theksuar se është arritur pajtimi që në pako me marrëveshjen e demarkacionit të futet edhe vendimi i komisionit ndërkombëtar i themeluar nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe konstatimet e Komisionit të ASHAK-ut në krye me akademik Hivzi Islamin.

Hoti ka thënë se konstatimet e Komisionit Shtetëror në krye me Shpejtim Bulliqin nuk mund të jenë në kuadër të marrëveshjes për kufirin, por vetëm si një shpjegues jo formal.

Ai ka thënë se ka arritur marrëveshje me PDK-në për ratifikimin e demarkacionit.

“Ne po presim që tash të fillojë seanca për të marrë një vendim të rëndësishëm për lëvizjen e lirë. Ftojmë partitë që të reflektojnë karshi interesit të vendit. LDK-ja është unike që ta mbështesë plotësisht këtë marrëveshje. E kemi përkrahur edhe deklaratën e përbashkët të presidentëve. Ne presim që partitë të paraqiten në Kuvend dhe ta përmbyllin këtë çështje që është zvarrë për tre vjet”, ka thënë Hoti.


Nuk ka bisedime të reja mes partive për demarkacionin

[10:21]- Njëri nga deputetët e LDK-së ka thënë për KTV-në se sot nuk ka pasur takim me asnjë parti rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se LDK-ja ka dhënë zgjidhjen e saj për demarkacionin dhe pret nga koalicioni qeverisës që të reflektojë.

Në Kuvendin e Kosovës sot ka ardhur kryeministri Ramush Haradinaj me disa prej deputetëve të AAK-së, ndërsa në sallë janë vetëm dhjetë deputetë, raporton KTV.

Seanca e Kuvendit në të cilën pritet të votohet demarkacioni ishte paraparë të niste nga ora 10.