Arbëri

KDI dhe AVONET kërkojnë konsensus politik për ratifikimin e demarkacionit

Descriptive Text

Pas dështimit të seancës së sotme për të shqyrtuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, KDI përmes një komunikate për medie thotë se edhe një herë u dëshmua mungesa e seriozitetit dhe përkushtimit të partive politike për të arritur konsensus politik që i shërben interesit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Mungesa e këtij konsensusi politik tash e gati tri vite, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës të izoluar dhe pa mundësi lëvizjeje të lirë, por njëkohësisht ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve të vendit. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se çështja e demarkacionit është shteruar si temë, dhe tanimë është koha e fundit për të ndërmarrë hapa konkret në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në njoftim.

KDI apelon ndaj të gjitha partive politike parlamentare për arritjen e një konsensusi të përgjithshëm dhe zgjidhjen e kësaj nyje që po mbanë peng qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Vota pro demarkacionit është votë pro lëvizjes së lirë dhe rrugëtimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejt BE-së, sidomos tani kur sipas “Transparency International” vendi ynë ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe renditet më mirë sesa shumë vende të tjera që tashmë gëzojnë liberalizmin e vizave. KDI u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të tregojnë vendosmëri dhe përkushtim më të madh për të mbyllur çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi”, thuhet tutje.

KDI konsideron që Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të ri-negociuar me Malin e Zi për ndonjë përmirësim eventual të marrëveshjes, nëse konsiderohet që veçse janë bërë gabime në këtë drejtim. Prandaj, çdo vonesë e mëtutjeshme për ratifikimin e demarkacionit do të ndikoj në izolimin e qytetarëve, dhe njëkohësisht do të shpërfaqë paaftësinë e skenës politike kosovare për të marrë vendime të mëdha.

Edhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET, shpreh shqetësimin që partitë parlamentare po mbajnë qëndrime në kundërshtim me interesin publik.

“Qëndrimi i ndonjë prej partive parlamentare për mosvotim të Projektligjit Nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, paraqet izolim të mëtejmë të Kosovës, pamundëson perspektivën evropiane të Kosovës. Vetëm përmes ratifikimit të këtij projektligji forcohet sovraniteti dhe konsolidohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Avonet fton partitë parlamentare për unitet në mënyrë që ta përmbyllin obligimin e tyre që ka të bëjë me mundësinë e përfitimit të liberalizimit të vizave me të cilën qytetarët e Republikës së Kosovës përfitojnë lirinë e lëvizjes në zonën shengen.

“Partitë parlamentare duhet ta kuptojnë se është rast i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Kjo është hap që do të krijohet imazh e mirë për Republiken e Kosovës. AVONET, si monitorues i Kuvendit të Kosovës, sot me vëmendje ka përcjellë ngjarjet brenda kuvendit dhe ka vërejtur mosgatishmëri të disa nga partive parlamentare për të votuar Projektligjit Nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Shteti miqësor fqinj, ka qenë konstruktiv dhe ka shprehur gatishmëri për çdo korigjim eventual të ndonjë lëshimi që mundet të përmbajë marrëveshja Kufitare Shtetërore”, thuhet në komunikatë.

AVONET në fund të komunikatës kërkon nga partitë parlamentare që të jenë konstruktive dhe mos i vënë interesat e tyre përmbi interesat e Kosovës, por të kenë qëndrim progresist ndaj vendit dhe t’i krijojnë mundësinë e përfitimin e liberalizimit të vizave me të cilën qytetarët e Republikës së Kosovës përfitojnë lirinë e lëvizjes në zonën shengen.