Arbëri

Shefqet Krasniqi thotë se nuk ndikoi në shkuarjet në Siri

[15:27] - Ish krye imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, ka filluar të merret në pyetje para trupit gjykues, raporton Koha Ditore.

I pyetur nga avokati i tij mbrojtës, Sevdali Zejnullahu, se me çfarë temash ka ligjëruar para masës, Krasniqi është përgjigjur duke thënë se ka ligjëruar tema, të cilat i duheshin xhematit, “qoftë nga ana e besimit, aktiviteteve, etj”.

Ka thënë se në ligjëratat e tij as direkt e indirekt nuk ka ndikuar që njerëzit të shkojnë në Siri.

I pyetur nëse ka pasur raste që dikush i ka kërkuar mendim për të shkuar ose jo në Siri, Krasniqi ka thënë se ka qenë i pari që ka bërë thirrje për të mos shkuar në Siri, qoftë në tv, radio, kontakte e tribunave. Ka thënë se gjithsesi që e kanë pyetur dhe përgjigja ka qenë gjithherë e njëjtë.


Gjykimi ndaj ish-kryeimamit Krasniqi, dëshmitaret sërish mungojnë në seancë

[13:50] - Ka filluar gjykimi ndaj ish-kryeimamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.

Në këtë seancë është paraparë qe të dëshmojnë dy dëshmitare, Minire Heta dhe Nasere Ademi. Mirëpo, ato kanë munguar për shkak se gjenden jashtë Kosovës, raporton “Koha Ditore”.

Për mungesën e tyre e kanë njoftuar paraprakisht gjykatën.

Prokurori i rastit, Elez Blakaj, ka propozuar që deklaratat e këtyre dy dëshmitareve të konsiderohen të lexuara. Me këtë propozim është pajtuar edhe mbrojtja e Krasniqit.

Në fund, trupi gjykues ka marrë vendim që ta pranojë këtë propozim dhe t’i heqë nga barra e dëshmisë para gjykatës dy dëshmitaret e lartpërmendura.

Seanca po vazhdon me paraqitjen e provave të tjera materiale.

Kujtojmë se në seancën e kaluar, më 22 janar, imami Shefqet Krasniqi nuk e kishte pranuar fajësinë për tri veprat që akuzohet.

As në seancën e kaluar nuk ishin të pranishme dëshmitaret Minire Heta dhe Nasere Ademi.

Që të dyja, sipas gjykatësit Beqir Kalludra, nuk kanë pasur qasje në telefon dhe se sipas tij ende nuk e dimë a i kanë marrë ftesat me postë për të dëshmuar gjatë kësaj seance.

Krasniqi akuzohet për nxitje të urrejtjes, shmangie të tatimit me çka ka kryer vepër penale.