Arbëri

Deputetët pro Lumezit për kryetar të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës

Shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës me kandidatët për anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, ishte njëra ndër pikat e rendit të ditës që është debatuar gjatë sot në Komisionin parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Dhjetë emrat të cilat janë propozuar për anëtarë dhe zëvendës anëtarë të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, tre prej tyre sipas kryetares së Komisionit, Albulena Haxhiu nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj për përvojën e punës.

Në vendimin e propozuar me dhjetë emra nga Qeveria për këtë Komision janë: Aleksandër Lumezi, kryetar i komisionit, pyetës i lëndës e Drejta Penale dhe zëvendës i tij Besim Kelmendi, prokuror aktualisht, për anëtarë Haxhi Gashi pyetës i lëndës e Drejta Civile dhe zëvendës anëtar Albert Zogaj. Po ashtu Neboshja Boriçiq anëtarë i Komisionit pyetës i lëndës e Drejta Tregtare dhe zëvendës anëtar Gazmend Nushi. Afërdita Bytyqi që njëherësh është kryetare e Gjykatës Themelore, anëtare e Komisionit pyetës i lëndës e Drejta Kushtetueses dhe zëvendës anëtar Qerim Fazliu dhe Enver Peci anëtarë i komisionit pyetës i lëndës e Drejta e Punës dhe e Drejta Administrative dhe zëvendës anëtare Emine Kaqiku.

“Tre nga këtë anëtarë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me ligjin për provimin e jurisprudencës, përkatësisht nuk i kanë 12 vjet përvojë pune në sistemin e drejtësisë ashtu siç e kërkon ligji për provimin e jurisprudencës. Ata janë: Haxhi Gashi, Albert Zogaj dhe Gazmend Nushi. Unë i kam parë CV-të e tyre dhe përvojën nuk e kanë 12 vjet, meqenëse mund të jenë profesionalisht në rregull, por ligji ashtu siç është aktualisht kërkon 12 vjet përvojë pune në sistemin e drejtësisë. Këtë problem e kemi pasur gjithnjë dhe unë kam vërejtje se këta tre anëtarë nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara me Ligj”, ka thënë Haxhiu, raporton Kosovapress.

Ajo po ashtu ka kundërshtuar edhe Aleksandër Lumezin dhe Afërdita Bytyqin për të qenë në krye të Komisionit, ngase sipas saj, Lumezi është Kryeprokuror i Shtetit dhe është e tepërt të angazhohet edhe me një Komision kaq me rëndësi siç është Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

“Vërejtje e mia po ashtu kanë të bëjnë me propozimin për kryetar të Komisionit, Aleksandër Lumezi është propozuar kryeprokuror i shtetit, por po ashtu edhe Afërdita Bytyqi. Pse janë vërejtjet e mija? E para kryeprokurori i shtetit ka jashtëzakonisht tepër shumë punë, është i ngarkuar dhe ngarkesa edhe me një komision mjaft të rëndësishëm pozitë e lartë dhe unë nuk besoj që ne po bëjmë mirë kryeprokurorit të shtetit, madje edhe kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë që po ashtu është e stere ngarkuar me punë, ne po i lëmë që të jenë anëtare në komisionin e për provimin e jurisprudencës”, ka thënë ajo.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Korab Sejdiu, edhe pse tha se lista e kandidatëve nuk është e mirë, u shpreh se kandidatët kanë një përvojë të caktuar dhe të mjaftueshme sipas ligjit për të shërbyer në Komisionin e lartpërmendur.

“Krejt këta persona, aq sa i kam parë unë e kanë një përvojë të caktuar dhe të mjaftueshme sipas ligjit për me shërbyer këtu(në komision). Tash a është lista më e mirë e mundshme që e kishim përpiluar ne individualisht? Besoj se të gjithë ne kishim mundur me bërë lista shumë më të mira, por unë jam i vetëdijshëm që nuk ka ditë të Zotit që nuk më kontaktojnë jurist të rijnë, të cilët janë duke u mbajtur pezull për shkak të vonesave që janë bërë për me emëruar një Komision”, ka thënë Sejdiu.

Meqenëse të gjithë anëtarët e këtij Komisioni me arsyetimet e tyre u shprehen pro listës së kandidatëve dhe proceduan për në Kuvend, kundër ishte vetëm kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu nga LVV.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi me të filluar mbledhja pengoi mediat, të kenë qasje të plotë në mbledhje të komisionit.

Ai kërkoi nga mediat, që mos t'i rrinë mbi kokë. Kurteshi ka kërkuar që kamerat të mos kenë lëvizje të lirë në gjithë sallën, ngase sipas tij, po iu xhirohen ose fotografohen SMS-at.

“Mediat i kisha lutë zonja kryetare, po na hipin përmbi kokë dhe gjërat private mandej po i qesin në publik. Kjo i ka ngjarë deputetit Arben Gashi. Unë i kisha lutë mediat me qenë tërë kohën atje(te dera) dhe incizuar, nëse është e mundur. Ose rregulloni me protokoll, sepse është jo korrekte, jo mua, Arben Gashit ia kanë bërë, kanë shkuar i kanë incizuar gjërat private të cilat i qesin në publik, që nuk janë funksionale dhe të domosdoshme. Të vjen mbi kokë, nuk e di pse? Urdhëroni incizoni, me fotografi dhe me zë, por jo përmbi kokë. S’po e ndiej veten mirë, sinqerisht”, ka reaguar kështu Kurteshi.

Kolegia e tij nga Vetëvendosje që njëherësh është edhe kryetare e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu ka thënë se ankesa të tilla ka marr edhe nga anëtarë të tjerë, e cila kërkoi nga autoritetet përkatëse në Kuvend që të ndërmarrin masa për lëvizjen e kameramanëve gjatë gjithë mbledhjes në tërë sallën. Ajo tha se nuk ka kompetenca t’i ndaloj mediat në punën e tyre. Ndërsa, anëtarë të tjerë të Komisionit nuk reaguan për këtë çështje.

“Për të qenë e sinqertë, kam marrë ankesa nga anëtarët e Komisionit në raport me prezencën e mediave pas deputetëve që janë anëtarë të Komisionit. Nuk është punë e imja e ju tregua mediave ku me qëndrua, nuk marr një rol të cilin nuk e kam. Këtë do të duhej ta definonte kuvendi, vërejtjet e mija kanë të bëjnë me seancën parlamentare siç e kam diskutuar disa herë, por meqë kam marr vërejtje nga anëtarë të Komisionit në raport me këtë, duhet persona përgjegjës që të kujdesen për këtë”, ka thënë Haxhiu.

Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në mbledhjen e saj po ashtu ka miratuar edhe raportin me amendamente i Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 06/L-015 mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.