Arbëri

Refuzon dekoratën nga Thaçi edhe Hydajet Hyseni, tregon disa arsye

Ish bashkëpunëtori i dikurshëm i presidentit Hashim Thaçi, Hydajet Hyseni, ka thënë se nuk e pranon dekoratën nga presidenti i vendit.

Hydajet Hyseni që sot është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se nuk mund ta pranojë këtë medalje për shkak të situatës në vend edhe pse siç thotë ai, në kushte tjera do të ishte gjë e madhe dekorimi i tij.

“Dhurata të këtilla dhe mirënjohjet e medaljet nuk shkojnë bashkë”, ka shkruar ai në shkrimin e tij.

“Ma bëjnë të pamundur pranimin e kësaj mirënjohjeje, pos tjerash, e tjerash e tjerash…, veçanërisht dhe posaçërisht, “dhuratat” dhe “sihariqet” befasuese dhe të papritura, pikërisht në vigjilie të 10 vjetorit të Pavarësisë, – ulja, zhubravitja dhe heqja policore e spektakulare e flamurit kombëtar shqiptar dhe rivulosja, ripaketimi dhe reinkarnimi i (Mos)Marreveshjes mashtruese e vetëmashtruese, për kufirin, që i jep tokën e të parëve, shtetit fqinj të Malit të Zi…”, ka shkruar Hyseni.

Postimi i plotë në Facebook nga Hydajet Hyseni:

Deklaratë

Lidhur me përfshirjen e emrit tim,

në listën e të përzgjedhurve për medalje

Jo medalje politike! Politikë me dalje!

Nga mediat dhe nga urimet e ndonjë dashamiri për Ditën e Pavarësisë, mora vesh përfshirjen edhe të emrit tim, në listën e të përzgjedhurve për t'iu dhënë Medalja Presidenciale e Presidentit të Republikës së Kosovës!

Medaljet e mirënjohjet, siç thonë, janë një gjë e vogël për atë që e jep, por e madhe për atë që e merr. Do të ishte e tillë edhe për mua, aq më tepër kur kjo vjen në shenjë të Përvjetorit jubilar të shpalljes së Kosovës sonë të martirizuar, Republikë, Shtet i Pavarur, Sovran dhe Demokratik...

Do ta pranoja një mirënjohje të tillë dhe do ta përjetoja si një nderim të çmueshëm dhe satisfaksion domethënës, sikur ky përvjetor të ishte karakterizuar me të arriturat dhe realizimet e premtuara, të pritura dhe të zotuara para Republikës sonë të re, të varfëruar, të plaçkitur e të izoluar dhe para qytetarëve të saj të stërvuajtur, të thyer e të zhgënjyer nga gjendja e rëndë e në keqësim të vazhdueshëm dhe me papërspektivën e imponuar dhe të abuzuar...

Ma bëjnë të pamundur pranimin e kësaj mirënjohjeje, pos tjerash, e tjerash e tjerash..., veçanërisht dhe posaçërisht, "dhuratat" dhe "sihariqet" befasuese dhe të papritura, pikërisht në vigjilie të 10 vjetorit të Pavarësisë, - ulja, zhubravitja dhe heqja policore e spektakulare e flamurit kombëtar shqiptar dhe rivulosja, ripaketimi dhe reinkarnimi i (Mos)Marrëveshjes mashtruese e vetëmashtruese, për kufirin, që i jep tokën e të parëve, shtetit fqinj të Malit të Zi...

Edhe sikur të realizohej premtimi veresie se prishja e njësisë së gjuhës dhe heqja e simbolit kombëtar, shenjave të shenjta të identitetit shqiptar dhe tëhuajsimi i mijëra kilometrave toke denbabaden shqiptare dhe, me çdo kriter, kosovare, do të funksionojnë si kapar dhe haraç për synimin aktual të kthyer në prioritet strategjik, - liberalizimin e vizave, thënë ndryshe - zhblokimin e blokadës absurde të lëvizjes së lirë të një populli të tërë të martirizuar, kjo nuk do të mund ta justifikonte kurrë Parinë e Kosovës, (dhe askë nga ne) nga përgjegjësia objektive e subjektive historike për pasojat e deritashme dhe ato të priturat, sa a mund të justifikihen, bosët, ustallarët dhe argatët e "visikave" të kohës së tmerrshme të "parabrioneve".

Dhurata të këtilla dhe mirënjohjet e medaljet nuk shkojnë bashkë.

Jo medalje politike! Politikë me dalje!

Uroj Pavarësi nga vartësia dhe vartësi nga Pavarësia!

Uroj Pavarësi si komb e si shtet; sovranitet, prosperitet, unitet e integritet; me dinjitet, solidaritet dhe me identitet të vërtetë!

Përveç Hysenit, dekoratat nga Thaçi deri tani e kanë refuzuar edhe "Koha Ditore", publicisti Veton Surroi, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akademiku Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi, bashkëshortja e ish-drejtorit të RTK-së Burbuqe Nimani Zatriqi dhe Radio Kosova e Lirë.