Arbëri

VV kërkon hetim të plotë nga vendet e BE-së për sulmin në ndërtesën e Kuvendit

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë në lidhje me rastin e dënimit padrejtësisht të katër aktivistëve për sulmin në Kuvend.

Nëpërmjet kësaj konference në të cilën folën deputetët Arbërie Nagavci dhe Liburn Aliu, kërkuan zbatimin e kërkesave të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nagavci kërkoi qe në seancën e 22 shkurtit të Gjykatës së Apelit, që mbahet për gjykimin e aktivistëve të jetë mundësi edhe e korrigjimit të dënimit të padrejtë dhe politik ndaj po këtyre aktivistëve.

Gjithashtu, ajo foli edhe për kërkesat e miratuara nga Kuvendi i Kosovës e që duhet të zbatohen menjëherë nga institucionet përgjegjëse.

Kërkesat që sipas tyre duhet zbatohen nga institucionet përgjegjëse:

1. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, përjashtuar rastin e Astrit Deharit që do të hetohet veçmas.

2. Të hetohen dhe të gjenden përgjegjësit në hierarkinë e lartë të Policisë së Kosovës, të përfshirë për inskenimin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit më 4 gusht 2016 dhe për përndjekjen kriminale të aktivistëve të LVV për këtë rast.

3. Të hetohen dhe të merren në përgjegjësi ligjore të gjithë personat përgjegjës në hierarkinë shtetërore, për përndjekjen e aktivistëve të LVV dhe vdekjen e Astrit Deharit.

Ndërkaq deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Liburn Aliu i cili foli për personat përgjegjës që do të duhej të përfshiheshin në hetim dhe që kanë qenë të lidhur kyç në këtë rast.

''Nuk mund të ketë hetim nëse paraprakisht nuk kemi edhe shkarkim të personave përgjegjës në mënyrë që hetimi të jetë i rregullt'', shtoi deputeti Aliu.

VV thotë se tre aktivistët Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti po mbahen në burg që prej 17 nëntorit të vitit 2017, kurse me ta është dënuar edhe aktivistja Adea Batusha. Ky dënim ka ardhur pasi kishin mbajtur më shumë se 1 vit arrest shtëpiak e paraburgim.

“Kjo histori e padrejtë e nisur në fundgushtin e vitit 2016 duhet të korrigjohet më 22 shkurt 2018”, thuhet në komunikatën e VV-së.