Deklarata e Pavarësisë tani edhe në libër

Deklarata e Pavarësisë tani edhe në libër

18 February 2018 17:26

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sot janë promovuar në libra.

Në këtë promovim merrnin pjesë figura të larta të shtetit të Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, edhe figura të njohur të bashkësisë ndërkombëtare që kanë ndihmuar Kosovën drejt procesit të pavarësisë.

Me këtë rast ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i falënderoi ata për kontributin e dhënë për arritjen e Pavarësisë së Kosovës. Ai u shpreh se shpallja e pavarësisë është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij.

“Unë besoj se ju e shihni në fytyrat tona se kjo është një ditë e mrekullueshme. Shumë herë, pothuajse gjithmonë më vijnë ndërmend kujtimet e seancës së jashtëzakonshme të 17 shkurtit 2008, kur Kuvendi e shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovë. Është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës sime edhe sigurisht do të mbetet ngjarja më e rëndësishme, më emocionuese e jetës sime. Jam i bindur se këto emocione i kanë pasur edhe 120 kolegët e mi të cilët bashkë me mua e kanë nënshkruar Pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se ky libër kishte qenë i nevojshëm sepse përmban detajet e asaj seance, fjalimet dhe gjithçka tjetër rreth asaj dite. “Deklarata e Pavarësisë” dhe libri tjetër i promovuar sot është edhe certifikata e Pavarësisë së Kosovës siç e quan Pacolli, ndryshe i titulluar si “Kosovos’s Independence”, nga GJND-ja, transmeton kp.

Edhe kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shtuar përshtypjet e tij për librat, duke i cilësuar si libra të jashtëzakonshme për historinë e popullit tonë.

Ish presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një fjalimi ka shpalosur mirënjohjen e tij për popullin e Kosovës duke e konsideruar atë si popull stoik e të pamposhtur.

“Le të shprehim ne bashkërisht një mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur që sot të festojmë krenarisht këtë ditë të madhe për Kosovën, por kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë, kjo është një ditë e madhe për rajonet sepse liria e Kosovës ka bërë këtë rajon më të mirë se kurrë. Është një ditë e madhe edhe për Perëndimin dhe për ata që investuan, miqtë tanë”, tha Berisha.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se është shkas i mirë që Kosova ta ketë dokumentin e asaj dite të rëndësishme.

“Është një shkas i mirë paralel me këtë festë të madhe që ka Kosova të jepen edhe dokumentet e rëndësishme të zhvillimeve të Kosovës, andaj dua ta falënderoj edhe Ministrinë edhe të gjithë njerëzit që kanë punuar”, tha Sejdiu.

Stipe Mesiq, ish kryeministër i Kroacisë pavarësinë e Kosovës e sheh si diçka të merituar.

Ai ka përshëndetur në veçanti ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berishën dhe ish-kryeministrin turk, Ahmet Davotuglu që kanë ndihmuar popullin e Kosovës që ta fitojë lirinë.

“Tash pas dhjetë vitesh jemi këtu që të gjithë së bashku për ta festuar Pavarësinë e Kosovës. Pse populli e do lirinë? Që të mund të ketë resurset e veta, që tash të gjithë së bashku e kemi pritur dhe arritur Pavarësinë e Kosovës. Populli i Kosovës e ka merituar lirinë”, tha Mesiq.

Ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Rucker ka shprehur kënaqësinë për ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në shënimin e dhjetëvjetorit të shënimit të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se gjatë këtyre viteve është arritur një progres i theksuar.

“Unë do të doja t’ju uroja për progresin e arritur në dhjetë vjetët e fundit dhe se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, dhe unë llogaris se lidershipi aktual do të vazhdojë punën për integrimin euro-atlantik, përfshirë fqinjësinë e mirë me të gjithë fqinjët”, tha Rucker.

Ish-kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se stabiliteti i Kosovës është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

“Miq të dashur të Kosovës, është kënaqësi e imja të jem këtu me rastin e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kosova, Turqia, dhe të gjitha vendet e Ballkanit kanë një histori të përbashkët, një fat dhe një të ardhme të përbashkët. Pavarësia e Kosovës nuk ishte e rëndësishme vetëm për popullin e Kosovës, por po ashtu edhe për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit. Ne jemi krenar se Turqia ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës para dhjetë vjetësh dhe sot jam krenar që jam këtu për të shënuar përvjetorin”, ka thënë ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme