Arbëri

Seanca për demarkacionin pritet të mbahet më 20 shkurt

Qeveria në mbledhjen solemne për 10-vjetorin e Pavarësisë, i ka dhënë aprovimin deklaratës së përbashkët të presidentëve të Kosovës e Malit të Zi.

Dokumenti që do t’i bashkëngjitet marrëveshjes së vitit 2015, sipas Haradinajt, meriton aprovimin, pasi edhe janë krijuar rrethanat për ratifikim nga Kuvendi, raporton KTV.

Por, vetëm pak minuta pas mbledhjes, Haradinaj ka bërë të ditur se koalicioni qeverisës ende nuk i ka të sigurta dy të tretat e votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Votat e deputetëve të Listës Serbe, ministrat e të cilës nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë, edhe një herë tjetër do të jenë vendimtare.

Pas paralajmërimit për shtyrjen e seancës, një gjë e tillë është konfirmuar më vonë, me një kërkesë që kryeministri Haradinaj ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Kërkesën për shtyrjen e seancës për datën 20 shkurt, Haradinaj e ka arsyetuar me aktivitetet e shumta që do të mbahen për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.