Serbët në Veri shënojnë “10 vjetorin e okupimit të Kosovës” Foto: Koha / ilustrim

Serbët në Veri shënojnë “10 vjetorin e okupimit të Kosovës”

17 February 2018 19:25

Si çdo vit, serbët janë të mllefosur më 17 shkurt. Mitrovica Veriore u zgjua e mbushur me pllakate bardhë e zi në të cilat shkruante: “10 vjet okupim të Kosovës e Metohisë”.

Porosia ishte e shkruar në shqip, serbisht dhe anglisht, e autori nuk dihet. Pllakatet kryesisht ishin vendosur në qendër të qytet, e që është pjesë e projektit të rivitalizimit të urës në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, raporton KTV.

Edhe 10 vjet pas pavarësisë, serbët e shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë e Serbia insiston se asnjëherë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Të njëjtën nuk e bëjnë as shumica e banorëve serbë në Kosovë.

Ndonëse serbët në Kosovë edhe mund të duket se gradualisht edhe po mësohen me ndryshimet në komunitet, autoritetet në Beograd vazhdojnë të mos lëshojnë pe.

Së fundi, ministri i Jashtëm serb është lëvduar se si ia doli të bindë edhe një shtet ta tërheqë njohjen e pavarësisë.

Daçiq pohon se në këtë mënyrë dëshmoi se sa e brishtë është pavarësia e Kosovës dhe sa e rrejshme është lista prej 116 shteteve të cilën autoritetet në Kosovë ua tregojnë qytetarëve të vet.

I pyetur se si, si ministër i Jashtëm po ia del të bindë shtetet të tërheqin njohjen e Kosovës, ai tha se i akuzon politikanët e tjerë për paaftësi për këtë.

Ai shtoi se do të luftojë për interesat e Serbisë, duke thënë se Serbia nuk është super-fuqi, ama më e madhe se Kosova gjithsesi se është.

Së fundi, Serbia i ka dërguar edhe notë protestuese Barbadosit, pasi ky shtet njoftoi se e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq kryetari i Këshillit për Kosovë në Serbi, Milovan Drecun deklaroi se edhe pas 10 vjetësh është e qartë se krijesa e vetëshpallur Kosova nuk mund të ketë kapacitet ndërkombëtar që i duhet për të qenë shtet dhe anëtar në OKB.

Kështu sipas tij, ndryshohet qëndrimi i betonuar i politikanëve kosovarë se “gjithçka përfundoi, që Kosova është shtet dhe Serbia vetëm duhet ta pranojë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme