Arbëri

Qytetarët e Mitrovicës ndiejnë dhimbje të festohet në një qytet të ndarë

Për ta shënuar 10-vjetorin e krijimit të shtetit të Kosovës qysh në orët e para të së shtunës qytetarët e Mitrovicës së Jugut dolën në sheshin e tyre.

Festa aty tashmë kishte filluar me një koncert të organizuar nga komuna për të vegjlit e këtij qyteti, derisa në çdo cep të sheshit shiheshin flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë, raporton KTV.

Kjo festë për disa qytetarë ishte e përgjysmuar, pasi që thonë se këtë jubile të shtetësisë së Kosovës po e presin të ndarë në dy qytete.

Dikush tjetër po pret që tash e tutje të ketë zhvillim më të madh ekonomik dhe hapje të reja të vendeve të punës në mënyrë që sipas tyre të rinjtë po ikin çdo ditë e më shumë në perëndim.

E vetëm pak metra më larg në 10 –vjetorin e pavarësisë në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdon të valojë flamuri i shtetit serb.

Ura që më parë lidhte qytetin, edhe pas kaq vjetësh të bërjes së Kosovës shtet i pavarur, vazhdon ta ndajë atë.”

Sidoqoftë, Mitrovica e Jugut dhe e Veriut ende vazhdojnë mos t’i kenë të ndarë kufijtë vijës administrativ, proces të cilin e ka bllokuar kryetari i veriut, Goran Rakqi, i cili nuk po pranon që Suhodolli t’i takojë komunës fqinj, Mitrovicës së Jugut.

Për këtë shkak peng i Rakiqit ka mbetur edhe rivitalizimi i urës së Ibrit, punimet e të cilit ende nuk kanë përfunduar.