Mustafa uron dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën e quan arkitekt të Pavarësisë Foto: Koha

Mustafa uron dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën e quan arkitekt të Pavarësisë

17 February 2018 11:31

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka uruar qytetarët e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Ka thënë se pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave të gjeneratave të tëra të artikuluara në nivelin më të lartë gjatë rezistencës gjithëpopullore të prirë nga, siç e quan ai, Arkitekti i Pavarësisë Ibrahim Rugova.

Mustafa ka thënë se është lajm i mirë edhe që Kosova tashmë po e përmbyll procesin e demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë, sipas tij, e zvarritur padrejtësisht deri tani, për një kauzë fiktive politike.

Urimi nga Isa Mustafa:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, përbën të arriturën më të madhe të popullit të Kosovës pas 100 vjet përpjekjesh të gjithanshme për liri.

Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i sakrificave dhe përkushtimit të paepur të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës, të artikuluara në nivelin më të lartë gjatë rezistencës gjithëpopullore të prirë nga Arkitekti i Pavarësisë, Ibrahim RUGOVA, e cila u pasua me luftën çlirimtare të prirë nga Komandanti Legjendar, Adem JASHARI.

Republika e Kosovës është sot shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 117 shtete dhe me perspektivë të qartë integruese në Familjen Evropiane dhe në NATO, si procese të paalternativa për Kosovën.

Është lajm i mirë që Kosova tashmë po e përmbyll procesin e demarkacionit me Malin e Zi në përputhje të plotë me Marrëveshjen e parë, e zvarritur padrejtësisht deri tani, për një kauzë fiktive politike.

10 vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën me të arritura evidente por edhe ngecje në disa drejtime. Por, vitaliteti, përkushtimi, atdhedashuria dhe vendosmëria e popullit të Kosovës janë garanci për një të ardhme më të mirë.

Mirënjohje të posaçme për atë që kemi arritur meritojnë partnerët tanë euroatlantikë, SHBA-të, vendet e BE-së dhe shtetet tjera mike, pa përkrahjen e të cilave, Kosova nuk do të ishte ku është sot.

Urime 10 vjetori i Pavarësisë!

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme