Arbëri

Rohan: Kishim arsye të forta të besonim që Rusia do ta njohë Kosovën

Descriptive Text

Ish-zëvendës-ndërmjetësi austriak në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, në një intervistë në Interaktiv ka folur për bisedimet në Vjenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ka treguar për Grupin e Kontaktit që kishin formuar atë kohë, derisa Rohan ishte Shef i Stafit të Sekretariatit të OKB-së.

“I kujtoj si shumë interesante. I njihja të gjitha palët shumë mirë, pasi që puna ime e parë diplomatike ishte Beogradi. Isha zyrtari i parë i huaj që u takova me kryeministrin Koshtunica në ditën e tij të betimit. Në mëngjesin e asaj dite i kalova dy orë me të dhe më pas në mbrëmje ndodhi ceremonia. Kam pasur shumë miq në Serbi, e shumë miq në Kosovë dhe e njihja çështjen e Kosovës për shumë vjet. Ndeshja sikur po ndërmjetësoj mes miqsh, dhe Ahtisaari njëjtë, sepse edhe kishte shumë kohë që ishte i përfshirë në çështjet ballkanike. Kisha punuar me të në vitet ‘70. Kur e emëruan atë, unë isha Shef i Stafit i Sekretarit të OKB-së, ne e emëruam si Komision për Namibinë. Ishte kohë shumë interesante. Një gjë që të tjerët nuk e dinë, është kontakti shumë i afërt që ne kemi mbajtur me Grupin e Kontaktit. Fillimisht ne i pranuam parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit, që thoshte të mos ketë ndarje, që nuk do të ketë bashkim me shtet tjetër dhe të tjera. Çdo muaj kishim takim të niveleve të ndryshme me Grupin e Kontaktit. Pastaj, Ahtisaari kishte një ide brilante, duke i kërkuar BE-së, Rusisë dhe SHBA-së që të dërgojnë zyrtarë ndërlidhës në misionin tonë. Kjo krijoi shumë probleme buroteknike me administratën në New York, sepse ata ndienin se ishin të jashtëm dhe nuk mund të punonin në zyrat tona, por Ahtisaari tha se nëse vijnë duhet të punojnë sikurse të tjerët”, tha Rohan.

Rohan megjithatë ka treguar se këtë mundësi nuk e ka përdorur Rusia. Ai tha se kishin arsye për të besuar në fillim të vitit 2006, që Rusia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Sipas Rohanit, kishte deklarata që ishin mjaft të qarta, sidomos nga Lavrov.

“Rusët nuk e përdorën këtë mundësi. BE-ja e bëri duke e dërguar Stephan Lehnen. SHBA-ja na i dërgoi dy njerëz, njëri ishte ekspert kushtetues dhe kishim edhe një zyrtar të lartë rus në misionin tonë, një diplomat të OKB-së. Të gjithë dinin gjithçka dhe ishte shumë transparente. Bisedimet në vetvete ishin shumë konkrete, në detaje për kufijtë komunalë, për decentralizimin, për minoritetet. Ishin shumë detajuese. I ndanim punët me Ahtisaarin. Unë i udhëhiqja shumicën e takimeve të rregullta, kurse ai i udhëhiqte Raundin e Elefantëve kur vinin Presidentët dhe kryeministrat. Ndarja tjetër e punës ishte, edhe pse nuk e dinin të tjerët, ishte se Martti u koncentrua te fuqitë e mëdha. Ai shkoi në Pekin, në Moskë, në Washington dhe unë shkoja nganjëherë me të. Por, unë u koncentrova te fuqitë rajonale, te shtetet fqinje, sepse i njihja më mirë se Ahtisaari dhe ai kishte ndikim më të madh te fuqitë e mëdha sesa unë. Ishte një ndarje e mirë e punëve. Nëse më pyesni nëse kam pasur zhgënjime, ju them se kam pasur në dy mënyra. Kur u kuptua se një marrëveshje për statusin ishte e pamundur, gjë që u bë e qartë shpejt, ne donim të gjenim një mënyrë që të dyja palët të fitojnë diçka. Dhe, plani i Ahtisaarit është kompromis. Në njërën anë, ka pavarësi për Kosovën, me disa kufizime të vogla dhe në anën tjetër, ka masa të mëdha për të ruajtur komunitetin serb në Kosovë. Legjislacioni për të drejtat e minoriteteve në Kosovës është më i avancuar se kudo në botë dhe kjo është arsyeja se Kosova ka marrë kaq shumë njohje. Ishte në një formë çmimi për pavarësinë dhe për njohjet. Zhgënjimi im ishte se Beogradi mendonte vetëm për territor. U dha shumë pak rëndësi të gjitha anëve pozitive që ky plan i Ahtisaarit ofronte për minoritetin e saj serb në Kosovë. U deshën shumë vjet derisa serbët në Kosovë e kuptuan sa shumë mundësi që kishin duke marrë pjesë në vendimmarrje, duke i drejtuar vetë punët e veta, me procesin e decentralizimit dhe të ngjashme. Mendoj se tani e kanë kuptuar tani, ky ishte një zhgënjim. Zhgënjimi tjetër ishte sjellja ruse. Ne kishim arsye për të besuar në fillim të vitit 2006, që Rusia do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Kishte deklarata që ishin mjaft të qarta, sidomos nga zoti Lavrov. Fakti, që Lavrov e nënshkroi një deklaratë që ministrat e jashtëm të Grupi të Kontaktit e bënin në janar 2006 në Londër, e që thoshte se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe meqë 90 % e kosovarëve donin pavarësi, ishte e qartë se çka do të thoshte kjo dhe Lavrov e kishte nënshkruar këtë deklaratë. Pastaj, në pranverë të 2006 kishte një ndryshim qëndrimi të rusëve dhe ata refuzuan gjithçka që lidhej me pavarësinë. Pse ndodhi kjo, ne nuk e dimë. Nuk e di nëse Putini u përfshi apo jo, por kishte ndryshim të qartë të pozicionit. Kjo ishte për keqardhje, sepse në atë mënyrë Plani i Ahtisaarit do të përkrahej nga Këshilli i Sigurimit”, ka thënë Rohan.

Rohan ka treguar se për ta shkruar këtë propozim janë dashur 2-3 muaj.