Arbëri

Bill Clinton: Kosova meriton urimet tona dhe mbështetjen e vazhdueshme

Ish-presidenti amerikan dhe njëri ndër njerëzit më të rëndësishëm në shtetndërtimin e Kosovës, Bill Clinton ka uruar kosovarët për dhjetë vjetorin e Pavarësisë.

Ai thotë se populli krenar i Kosovës meriton urimet dhe mbështetjen e SHBA-së, ndërsa shton se paqja e qëndrueshme në Kosovë mbetet një shenjë shprese për shoqëritë në konflikt nëpër botë, transmeton Koha.net.

“Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, forcat aleate të operacionit të NATO-s i dhanë fund një spastrimi etnik të përgjakshëm në Kosovë, të udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviq, i cili deri në atë kohë kishte vrarë më shumë se 12 mijë njerëz dhe kishte shpërngulur më shumë se një milion kosovarë”, shkruan Clinton në Facebook.

Ai më tutje flet për vizitën e tij në Ferizaj.

“Përderisa konflikti u mbyll dhe refugjatët filluan të kthehen në fshatrat dhe qytetet e tyre, unë udhëtova në Kosovë për të falënderuar forcat amerikane, dhe takova liderët lokal. Gjithashtu vizitova një shkollë fillore në Ferizaj. Prindërve dhe fëmijëve që u mblodhën aty iu thashë se përderisa aleatët dhe miqtë e tyre në NATO kishin fituar luftën për t’iu lejuar që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre, vetëm ata mund ta fitonin paqen. E dija se ata ishin mjaftueshëm të fortë për të rindërtuar jetët e tyre, por rindërtimi i shoqërisë do të ishte më i vështirë, për të ndërtuar një komb të ri kërkohej që ish-antagonistët duhej të punonin së bashku, për të gjetur humanitetin e përbashkët dhe për të ndarë ëndrrat përkundër dallimeve dhe ankesave”, shkruan Clinton.

Ai më tutje thotë se, “sot populli krenar i Kosovës meriton urimet tona dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Saktësisht dhjetë vjet nga pavarësia e tyre ne festojmë arritjet e tyre, mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe të besueshme, forcimin e gjyqësorit dhe krijimin e një baze për një ekonomi tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë. Paqja e qëndrueshme në Kosovë mbetet një shenjë shprese për të gjitha shoqëritë në konflikt nëpër botë”.

Clinton më tutje përcjell edhe një mesazh për liderët kosovarë, të cilëve iu thotë se duhet të vënë interesin kombëtar para atij personal.

“Për të vazhduar të ndërtohet në këto fitore të vështira, liderët modern të Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë që ta lënë prapa të kaluarën, dhe të vendosin interesi kombëtar para atij përsonal. Për t’u siguruar stabilitet për të ardhmen dhe rritje më gjithëpërfshirëse kërkon që Qeveria e Kosovës të punojë edhe më shumë për të fituar besimin e gjithë popullit të saj dhe për të mbështetur sundimin e ligjit, duke përfshirë edhe punën e Dhomave Speciale, gjykatat e krijuara për të adresuar krimet e kryera pas përfundimit të okupimit. Për Kosovën është jetësore që të vazhdojë të kërkojë drejtësinë, të refuzojë përpjekjet për të penguar procesin dhe të vë para gjyqit të gjithë të akuzuarit me dëshmi të besueshme për kryerjen e krimeve të luftës, pavarësisht nga përkatësia etnike apo kombësia”, ka shkruar Clinton.

Ai shton se, “demokracia është shumë më tepër sesa sundimi i shumicës, kërkon mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, individuale, angazhim të sinqertë ndaj një shoqërie gjithëpërfshirëse, vendimmarrje të përbashkët dhe sundim të ligjit. Kjo përfshin mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë, përfshirë serbëve. Kjo në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, i cili ishte një forcë për pajtim”.

Clinton shkruan se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO dhe OECD.

“Ky përvjetor dhjetëvjeçar na kujton edhe përgjegjësinë tonë kolektive për të qenë partnerë të ngushtë në të ardhmen e Kosovës. Është koha e gjatë për të gjitha kombet të pranojnë sovranitetin dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Mbështes ambiciet e Kosovës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, dhe OECD-në”, ka shkruar ai, transmeton Koha.net.

Clinton ka kërkuar gjithashtu që të çrrënjoset korrupsioni, proces që sipas tij mund të ndodhë me mbështetjen e ndërkombëtarëve, më shumë se sa me ndëshkimin prej tyre.

“Dhe ashtu siç i përgëzojmë liderët e Kosovës për të çrrënjosur korrupsionin, po ashtu duhet që miqtë e Kosovës të pranojnë se tejkalimi i korrupsionit është një proces afatgjatë që varet nga derdhja e zakoneve të këqija dhe largimi i ndikimeve të këqija - një proces që ka më shumë gjasa të ndodhë nëse mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar sesa të ndëshkohet prej tij. Në gjithashtu duhet të mbështesim liderët në Kosovë dhe Serbi në përpjekjet e tyre për të negociuar të ardhmen ‘të jetojmë dhe të lëmë të jetojnë’, gjë që lejon popujt e tyre të lënë historinë prapa tyre. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ne duhet të ndihmojmë në zgjerimin e mundësive ekonomike dhe mobilitetin social për të gjitha familjet në Kosovë”, shkruan Clinton.

Cliton shpreson që pas dhjetë viteve të tjera Kosova do të punojë në ruajtjen dhe forcimin e paqes, rritjen e mundësive ekonomike.

“Ata fëmijë që kam takuar në shkollën fillore në vitin 1999 tani janë rritur, duke marrë përgjegjësinë për familjen dhe të ardhmen e vendit të tyre. Për një dekadë qytetarët e Kosovës kanë mbledhur guximin dhe vizionin për të mbajtur anijet e shtetit të tyre në lundrim. Shpresoj se në dhjetë vitet e ardhshme të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ne rreth botës që dëshirojmë të bëjnë mirë, do të punojnë edhe më shumë për të ruajtur dhe forcuar paqen, të zgjerojnë mundësitë ekonomike, dhe t’i dëshmojnë njëri tjetrit çdo ditë se bashkëpunimi jep dividentë shumë më të madh se konflikti”, përfundon Clinton.