Arbëri

Vetëvendosje për Deklaratën Thaçi – Vujanoviq: Mashtrimi nuk kalon

Sot, pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi opinionin publik lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga ai dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së saj.

Pas mbledhjes, Vetëvendosje doli me këto qëndrime:

Teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeninë dhe diskutimin në institucionet e Kosovës. Shteti i pavarur i Kosovës është Republikë Parlamentare.

Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit 2015 nënshkruar në Vjenë. Janë 205 mijë nënshkrime në Peticionin qytetar të vjeshtës së vitit 2015 në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje më 9 janar dhe 17 shkurt 2016, duke dëshmuar vullnetin popullor.

Rezultatet e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, drejtuar nga prof. Shpejtim Bulliqi janë shpërfillur tërësisht nga kjo Deklaratë. Komisioni Bulliqi theksonte, midis të tjerash, se Marrëveshja e nënshkruar në 26 gusht 2015, për Demarkacionin e Kufirit në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi nuk është marrëveshje për shënjimin e kufirit, por është marrëveshje për përcaktimin e kufirit, përkatësisht për ndryshimin e tij në një kufi të ri, jashtë çdo kompetence.

Pas ratifikimit, në këtë deklaratë, thuhet se do të formohet një Trup i Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare. Kësisoj, pranohet që demarkacioni nuk ka qenë i tillë (shënjim kufiri) por delimitim (kufi i ri) i cili do të ketë nevojë për shënjim të ri.

Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale”. Pra, do të ketë identifikim e adresim të mosmarrëveshjeve pa garanci për zgjidhje të tyre.

Thuhet se Trupi i Përbashkët Punues “do të rishiqojë dhe korrektojë sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”. Pra, pranohet që Çakorri dhe Kulla e Zhlepit nuk do të jenë pika kufitare dhe po ashtu nuk përmendet pellgu i lumit Bjelluha.

Deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Psh. në versionin shqip mungon pika 6 e cila duke nënvizuar arsyet objektive që kanë pamundësuar nënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjes i legjitimon të gjitha veprimet e ndërmarra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA për Kosovën në kundërshtimin e kësaj marrëveshje.

Deklarata Thaçi – Vujanoviq është mashtrim, thotë Vetëvendosje dhe paralajmëron formimin e Komisionit Hetimor për të cilin ka qysh sot fillon me mbledhjen e nënshkrimeve për këtë inciativë.