Sali Berisha tregon çfarë u tha dy presidentëve Bush për Kosovën

15 February 2018 18:54

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka treguar në detaje bisedat e tij me dy ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga familja Bush.

Në një intervistë njëorëshe që do të transmetohet sonte prej orës 23:20 në Interaktiv të KTV-së, Berisha ka zbuluar disa episode të panjohura nga biseda e tij si president i Shqipërisë me presidentin amerikan George Bush më 1992, kur ai e kishte paralajmëruar atë për planin e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe përgjigjen që kishte marrë nga presidenti amerikan për këtë.

Po ashtu, Berisha ka kujtuar takimin e tij nga pozita e kryeministrit me presidentin amerikan George W. Bush më 2007, kur ky i fundit kishte kërkuar qëndrimin e kryeministrit shqiptar për kohën më të përshtatshme për të shpallur pavarësinë e Kosovës.

Për këto dhe shumëçka tjetër për lidhjet e Sali Berishës me Kosovën që nga fëmijëria e tij e deri te krijimi i Republikës së Kosovës, mund të kuptoni nga intervista e tij e dhënë ekskluzivisht për Kohavisionin në rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme