Arbëri

Kurti kërkon që Kosova të mos ia japë Serbisë “Zajednicën”

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka cituar një deklaratë të ministrit gjerman të Punëve të Jashtme Sigmar Gabriel bërë në Prishtinë për kushtin që Serbia e ka rreth Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Kurti, paralelisht me këtë, në facebook, ka rikërkuar që Kosova të mos ia japë “Zajednicën” (Asociacionin e Komunave serbe) Serbisë. Porse ai, njëkohësisht, ka shfaqur dyshimin se kjo do të ndodhë deri sa Hashim Thaçi të jetë presidenti i vendit.

Për më shumë, lexojeni postimin e tij:

Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, dje, Ministri i Jashtëm gjerman, z. Sigmar Gabriel, tha: "nëse Serbia dëshiron të shkojë në drejtim të BE-së duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ky është një parakusht për rrugën e tyre në BE. Ju mund të llogaritni në mbështetjen tonë".

Pra, ajo çka na mbetet neve është që të mos ia japim Serbisë ndërkohë 'Zajednicën' apo të bëjmë ndonjë marri të ngjashme. Por, me këtë regjim në fuqi, sidomos me Thaçin President, nuk mund të jemi të sigurt.