Arbëri

Danielsson: Janë edhe dy kushte për liberalizim, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova i ka edhe dy kushte për t’i plotësuar për liberalizimin e vizave, atë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas tij nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë mund të vazhdohet përpara.

“93 nga 95 kushtet janë plotësuar. Janë dy që duhet plotësuar. Një është me demarkimin e Malit të Zi dhe e dyta është me luftën kundër korrupsionit. Ka shumë progres në fushën e luftimit të korrupsionit. Nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë ne mund të vazhdojmë përpara. Sot nuk mund të them nëse mund të japim një përgjigje të shpejtë”, tha Danielsson, transmeton kp.

Ndërsa tha se BE do ta përkrah Kosovën në agjendën e saj të reformave.

“Kemi pasur një diskutim të mirë, për përpjekjen e reformës në Kosovë dhe do ta përgëzoja kryeministrin për masat dhe hapat, të cilat janë ndërmarrë për shtyrjen e agjendës përpara. Është e rëndësishme të dimë se këto reforma janë të vështira, kur flasim për ndryshimin e gjyqësorit. Kur flasim për masat ndaj korrupsionit, apo për çështjet që lidhen me administratën publike dhe reformën për administratën publike. Konsideroj se një çështje që e kemi diskutuar sot është e rëndësishme që Qeveria Haradinaj dhe Parlamenti të përshihen në këtë kontekst dhe shoqëria civile. Nga ana jonë do të vazhdojmë të punojmë për së afërmi me Qeverinë dhe institucionet në Kosovë, në mënyrë që të shtyjmë agjendën përpara”, tha Danielsson.

Ai ka folur dhe demarkacionin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilin tha se kjo është një çështje mes këtyre dy shteteve dhe se është në duart e tyre që të gjejnë një zgjidhje.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting tha se Strategjia e Zgjerimit të BE-së është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe Kosovën. Ndërsa tha se askush nuk mund të ec përpara në rrugën evropiane, nëse nuk ka pajtim të plotë, siç është rasti në mes të Kosovës dhe Serbisë.