Arbëri

Sindikalistët e Shëndetësisë reagojnë ndaj përfshirjes së një mjeku të huaj në një operim

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar ndaj një rasti në Spitalin e Gjakovës, ku ky i fundit kishte angazhuar një mjek specialist ndërkombëtar për të kryer një operim në këtë spital.

Vendimi ishte marrë me arsyetimin se ky rast nuk mund të trajtohet nga mjekët specialistë vendorë.

“Mbështetur në reagimin e Kolegjiumit Profesional të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në lidhje me angazhimin e mjekëve të huaj konkretisht angazhimin e mjekut specialist me iniciale N.I. për operimin e pacientit në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës dhe të bindur se rasti në fjalë do të trajtohej pa dyshim dhe me sukses nga profesionistët shëndetësorë në QKUK, FSSHK reagon ashpër ndaj veprimeve të marra duke filluar nga Spitali i Gjakovës i cili ka bërë kërkesën për angazhimin e mjekut me arsyetim se ky rast nuk mund të trajtohet nga mjekët specialistë tanë, Bordit për licencimin i cili ka licencuar mjekun dhe të gjithë akterët në këtë proces”, thuhet në reagimin e FSHSHK-së.

Në reagim theksohet se në praktikën e deritanishme Spitalet Regjionale referojnë në QKUK pacientët me raste të ftohta të cilat lehtë do të mund të trajtoheshin nga profesionistët shëndetësorë në Spitale, e le më këtë rast i cili sipas FSSHK-së, padyshim se do të kryhej nga ana e mjekëve në QKUK.

“Është më se e qartë se ky veprim është tendencioz, denigrues por edhe joprofesional nga të gjithë akterët të përfshirë në vendimmarrje për angazhimin e mjekut të huaj, kjo praktikë i jep hapësirë dhe mundësi të keqpërdorimit dhe futjes së mjekëve të tjerë në institucione publike shëndetësore pa e ditur qartë natyrën dhe prapavijën e tyre profesionale dhe edukative”, theksohet në reagim.