Arbëri

Tahiri: Një njeri që s’mund të organizojë provimin e jurisprudencës, s’mund të udhëheqë as Prokurorinë e Shtetit

Descriptive Text

23:41 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se deri në fund të mandatit organizimin e provimit të jurisprudencës do t’ia delegojë Akademisë së Drejtësisë.

Tahiri, që kishte emëruar në krye të Komisionit për Provim të Jurisprudencës e emëroi kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, ka thënë se politika nuk duhet të fusë më duart në këtë organizim.

“Mënyra se si është mendoj se është gabim. Unë në të ardhmen këtë organizim të provimit të jurisprudencës do t’ia delegojë Akademisë së Drejtësisë. Politika s’duhet të fusë duart fare në këtë. Nuk e kam kandiduar asnjë person me emër të përveçëm. E kam kandiduar kryetar Lumezin, anëtarë janë kryetari i Supremes, kryetarja e Themelores, dekani i Juridikut në Prishtinë dhe një gjyqtar nga komuniteti serb. Ka mund me qenë dikush tjetër, sikur të ishte në këto pozita”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo është bërë me një qëllim.

“Organi i akuzës është ai që ndjek çfarëdo keqpërdorimi kudo që ndodhë. Nëse aty do të ketë probleme dhe keqpërdorime e kemi përgjegjësin e organit të akuzës. Nëse aty ndodhin keqpërdorime atëherë ai njeri që e udhëheqë atë provim nuk mund të udhëheqë as prokurorinë e shtetit e as një institucion aq të rëndësishëm”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka mohuar të ketë afërsi mes kryeprokurorit Lumezi dhe presidentit Hashim Thaçi. Ai ka thënë se për 7 vjet sa ishte në qeverisje me Thaçin nuk ka pasur asnjë takim me Lumezin.


Tahiri: S’mund të kërkojmë përgjegjësi prej gjyqtarëve e prokurorëve pa u ofruar kushte

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se do të ketë rritje të pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Për Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka thënë se këtë çështje do ta rregullojë me ligj, nëse vendimi i Qeverisë për rritje të pagave nuk pranohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Çështja është në gjykatën Kushtetuese. Kemi konfirmimin edhe nga ministri Hamza edhe nga kryeministri Haradinaj se nëse vendimi i Qeverisë nuk bie ndesh me Kushtetutën, prokurorët e gjyqtarët do të marrin pagat me rritje retroaktivisht. Por edhe ashtu, Qeveria deri në fund të muajit do ta dërgojë Ligjin për Pagat në Kuvend të Kosovës dhe besoj se kjo është çështje që do të rregullohet me ligj”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë pagë ekuivalente me ministrat. Ai ka shtuar se një asistent në Aviacionin Civil ka pagë më të lartë se gjyqtari dhe kjo, sipas tij, është e padinjitetshme.

“Për çështjen e pagave gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë pagë ekuivalente me ministrat. Në ranglistën shtetërore të pagave jemi në vendin e 40-të. Në rregull, s’po flas për ministra por nuk është e dinjitetshme që për një vend prokurori e gjyqtari të jetë i 40-i në listë për paga. Kjo nuk është dinjitoze. Kjo formë duhet rregulluar me ligj. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë pagë të dinjitetshme sepse janë pjesë e agjencive ligjzbatuese. Puna e tyre ndikon direkt në përditshmërinë tonë. S’mund të kërkojmë përgjegjësi nëse s’u ofrojmë kushte”, ka thënë Tahiri.

Ai është ankuar edhe në mungesën e asistentëve të gjyqtarëve, ndërsa është zotuar se këtë mungesë do ta largojë deri në fund të mandatit.