Arbëri

Projekti SMIL koordinon aktivitetet me donatorë

Projekti SMIL (Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve) në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial (KPK), mbajtën sot një takim pune me qëllim të koordinimit të donatorëve që janë duke ndihmuar Sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë.

Qëllimi i takimit ishte që të pranishmit të njoftohen me të arriturat e projektit të SMIL dhe që aktivitetet e projekteve të ndryshme të koordinohen në mes vet, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se projektin e prezantoi Menaxheri i Projektit SMIL, Fatmir Rexhepi njëherë edhe drejtor i Zyrës së Teknologjisë Informative në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (SKGjK).

“Gjatë këtij takimi, realizimi i projektit SMIL (Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve) u vlerësua shumë lartë dhe fitimprurës në shumë aspekte, dhe se me këtë realizim sistemi i drejtësisë në vend, punën manuale në gjykata dhe prokurori do ta zëvendësojë me punën përmes sistemit elektronik”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Gjithashtu thuhet se bazuar në faktin se një ndër shtyllat e reformave të sistemit të drejtësisë është edhe digjitalizimi i punës së gjykatave dhe prokurorive, KGjK dhe KPK me realizimin e projektit në fjalë synojnë që të rrisin efikasitetin e punës në gjykata e prokurori, të zvogëlojnë numrin e lëndëve të vjetra dhe të mundësohet një menaxhim më i mirë edhe i resurseve, sepse vetëm në këtë mënyrë, mund të rrisim besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe të sigurojmë drejtësi dhe sundim efikas të ligjit.

Kryesuesi i KGjK-së Nehat Idrizi, me theks të veçantë falënderoi Ambasadën Norvegjeze në Prishtinë për mbështetjen e këtij projekti. Idrizi siguroi që, KGJK deri më tani e ka përkrahur projektin SMIL në mënyrë aktive, si dhe është e gatshme për të ndërmarrë hapa dhe vendime të rëndësishme, sipas nevojës së projektit.

Idrizi u shpreh i vetëdijshëm për sfidat që presin sistemin gjyqësor për të vënë në zbatim këtë projekt në gjykata e prokurori, por në të njëjtën kohë tregoi, se janë duke u ndërmarrë aktivitetet të ndryshme për të përmirësuar zbatimin e projektit dhe për të zvogëluar rreziqet.

Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj siguroi se edhe KPK dhe kapacitetet e tij do të jenë përherë në dispozicion të projektit SMIL, si dhe kërkoj mbështetjen e donatorëve.

Isufaj realizimin e këtij projekti e konsideroi si të rëndësishëm dhe pa kthim mbrapa, dhe se përmes SMIL-it do të zvogëlohen mundësitë e korrupsionit si faktorë me rëndësi dhe do të rritet performanca e prokurorëve, gjyqtarëve si dhe stafit administrativ.

Gjithashtu, të pranishmit u informuan se projekti gjatë muajve prill dhe maj do të bëjë vlerësimin e nevojave të projektit për të siguruar qëndrueshmërinë e projektit edhe pas përfundimit të tij në qershor 2018.

Të pranishëm në takim ishin edhe Përfaqësues të Ambasadës së Norvegjisë, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësues të Bashkimit Evropian, përfaqësues të USAID-it, përfaqësues të Sfidat e Mileniumit.