Arbëri

KOMF kërkon nga institucionet kujdes të shtuar për të sëmurët nga epilepsia

Foto: Koha / ilustrim

KOMF - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, përmes një komunikate për media me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Epilepsi, ka shtruar kërkesën para institucioneve shëndetësore të rrisin kujdesin për këtë kategori të sëmurësh, transmeton Koha.net.

Në komunikatë thuhet:

Sëmundjet sikurse epilepsia fatkeqësisht nuk kursejnë as fëmijët. Këto sëmundje kërkojnë trajtim të duhur dhe mjaft të kushtueshëm. Epilepsia është një çrregullim nervor i manifestuar me ngërçe të përsëritura të muskujve dhe ndryshim të vetëdijes, që prek njerëzit e të gjitha moshave, në veçanti fëmijët.

Një numër i madh i fëmijëve me epilepsi vuajnë nga stigma dhe diskriminimi. Si pasojë kjo jo vetëm që parandalon fëmijët të kërkojnë trajtim, por gjithashtu i pengon ata që të integrohen në komunitet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lloji më i zakonshëm i epilepsisë që prek 6 nga 10 njerëzit me këtë çrregullim, quhet epilepsi idiopatike dhe nuk ka ndonjë shkak i cili e identifikon atë.

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për reduktimin e mangësive të trajtimit të epilepsisë, thotë se epilepsia mund të trajtohet, megjithatë gati tre të katërtat e njerëzve të prekur në vendet në zhvillim nuk marrin trajtimin e duhur. Në shumicën e vendeve të varfra, barnat anti-epileptike nuk janë në dispozicion. Dhe në shumicën e vendeve të tilla, shumë profesionistë të shëndetësisë nuk kanë trajnim të duhur për të njohur, diagnostikuar dhe trajtuar epilepsinë.

Programi OBSH-së për reduktimin e mangësive të trajtimit të epilepsisë, kërkon të mobilizojë OJQ-të dhe grupet e komunitetit për të informuar dhe angazhuar shoqërinë për epilepsinë dhe për të mbështetur më mirë fëmijët me epilepsi dhe familjet e tyre. Prandaj, KOMF rekomandon që, institucionet relevante të organizojnë programe të cilat rrisin vetëdijen mbi epilepsinë për fëmijët, familjet e tyre dhe publikun e gjerë. Programi duhet të angazhohet po ashtu në forcimin e sistemit shëndetësor, duke ndihmuar në rritjen e qasjes së qëndrueshme në barna anti-epileptike dhe në përforcimin e sistemeve referuese. Në klinikën e Pediatrisë të krijohen kushte më të mira për diagnostifikim të drejtë të Epilepsisë.

Fëmijët me epilepsi që jetojnë në familje me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme për arsye të vështirësive financiare, nuk mund të marrin trajtimin që u nevojitet. KOMF rekomandon që Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë veprime për një furnizim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave në SHSKUK, për të garantuar se fëmijët do të marrin trajtimin e duhur dhe që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë.

Trajtimi i fëmijëve me epilepsi kërkon trajnim dhe eksperiencë të duhur të personelit shëndetësor. Duhet pasur në konsideratë se fëmijët përveç larmisë së sindromave të ndryshme epileptike që paraqesin, po ashtu shfaqin edhe shume episode që ngjajnë me epilepsinë (pseudo - episode), që në fakt nuk janë episode epileptike. Prandaj kjo duhet të diferencohet mirë që fëmijët të mos trajtohen në mënyrë të gabuar.

Ligji për Shëndetësi parasheh ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese me standarde të barabarta në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, duke siguruar standardet gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.