Arbëri

Komuna sqaron pilot-projektin për termine në qendrat e Mjekësisë Familjare

Në qendrat e Mjekësisë Familjare, sipas një pilot-projekti që po zbatohet aktualisht, pacientët mund të bëjnë vizita mjekësore vetëm pasi t’i kenë caktuar ato paraprakisht.

Por, aplikimi i rregullave të reja, përkatësisht caktimit paraprak të vizitave (termineve) në këto qendra, si shërbime primare shëndetësore, ka nxitur reagime të pacientëve, të cilët nuk e shohin të arsyeshëm këtë vendim. Sipas tyre, ndihma e parë mjekësore do duhej të ofrohej nga mjekët familjarë në çdo kohë që ata kanë nevojë.

Por Komuna e Prishtinës ka dërguar një sqarim lidhur me terminet në Qendra të Mjekësisë Familjare, dhe ka treguar, sipas tyre, arsyen pse duhet bërë fillimisht termin dhe anët e saj pozitive.

Sqarimi nga Komuna:

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës nga janari i këtij viti ka filluar pilot-projektin për caktimin e terminëve për vizita kontrolluese në Qendra të Mjekësisë Familjare. Kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore, si dhe që mjeku të ketë kohë të mjaftueshme ta ekzaminojë në mënyrë adekuate secilin pacient. Ky pilot-projekt është për vizitat kontrolluese (të radhës, pas vizitës së parë), si dhe për pacientët që dëshirojnë të shmangin radhën e pritjes.

Aktualisht po testohet në një numër të kufizuar të ordinancave brenda QMF-ve, dhe do të zgjasë deri në muajin prill. Në fund, do t’i marrim rekomandimet nga grupi punues, si dhe ankesat e sugjerimet e qytetarëve, dhe do të fillojmë me fushatë vetëdijesuese nga muaji maj, ashtu që qytetarët të jenë të informuar lidhur me procedurat. Do të sigurohet numri për thirrje pa pagesë, që të caktohen terminët.

Njoftojmë qytetarët se gjatë këtij pilot projekti asnjë rast nuk do të kthehet pa marrë shërbimin shëndetësor. Gjithashtu edhe në të ardhmen, rastet urgjente do të trajtohen me përparësi pa caktuar termin, por edhe rastet e tjera do të marrin shërbimin pavarësisht nëse kanë caktuar termin ose jo. Sigurojmë të gjithë se kjo do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të lehtësojë dukshëm qasjen e tyre në Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës, pa pasur nevojë të presin në radhë të gjata.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, mirëpresim çdo ankesë, kritikë dhe sugjerim gjatë kësaj kohe, në mënyrë që ky projekt të realizohet sa më mirë.