Arbëri

Lumi i Shalës, jehonë edhe përtej detit

Rreth 20 të rinj nga Italia, të apasionuar pas raftingut, dëgjojnë për Lumin e Shalës, për mrekullitë e tij natyrore, për historinë e trojeve ku rrjedh, për eposin dhe etnografinë e zonës, kulinarinë vendase me mikpritje e këngë rreth zjarrit, ngiten deri në Theth, në burimet e këtij lumi magjik dhe zbresin duke lundruar, deri në derdhjen e tij, në Liqenin e Komanit, tamam te Blini i Gurit të Lekës.

Janë nisur nga Thethi dhe pas 23 km lundrim, kanë arritur t’i parkojnë kanoet e tyre te Blini i Gurit të Lekës. Siç shkruan atsh, bëhet fjalë për një trevë që gjallon midis mistikes dhe reales, sepse asgjë nuk dihet deri në fund për Blinin dhe Gurin, që mbajnë emrin e njërës prej figurave më enigmatike të historisë ton, siç është Lek Dukagjini.

Plot tre orë udhëtim ”meraviglioso”, thanë djemtë italian për shoqëruesit guidatorë vendas, që i shoqëruan në këtë aventurë të bukur sportive.

“Mbetën të befasuar”, thotë Ndoc Mulaj, Sokoli dhe Altini në ambientet e bujtinës ku u çlodhën miqtë italian, pas këtij udhëtimi mbresëlënës.

Bujtinat e ngritura në këto anë nga investitorë vendas, që kanë kuptuar rëndësinë turistike të maleve dhe Alpeve Shqiptare, çdo ditë presin vizitorë të huaj e vendas që ngjisin lartësitë e maleve për peizazhin e tyre natyrorë, të ujërave të rrëmbyeshëm të lumenjve, e të ngjitjeve alpinistike dhe strehohen e çlodhen në këto bujtina komode, të gjendura në Theth apo dhe në derdhjen e Shalës, te Guri i Lekës.

Ndoci, Sokoli, Altini e Zef Gjeta, të lindur e rritur në këto anë, e kanë merak Lumin e tyre dhe duan ta ruajnë të pa prekur, ashtu siç e ka bërë “I Madhi Zot”, thotë Ndoc Mulaj, “sepse kemi ndigjue që po flitet për do hidrocentrala”, mbaron fjalinë e tij të shkurtër prej malësori, i shqetësuar për Alpet e “veta” , e lumenjtë e “tij”, ky natyralist dhe ambientalist i këtyre anëve.

“Janë me dhjetra vizitorët që ngjisin çdo javë Bjeshkët tona edhe tani me dëborë”, thonë ata.

Malet e Shalës, janë dhe një perspektivë për pistat e skive në rrafshet e buta ku bora qëndron deri në fund të pranverës.

Lumi i Shalës është një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit.

Ngjyra e ujit është karakteristikë e këtij lumi dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin.

Ai buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Liqenin e Komanit ku derdhet.

Lumi është i pasur me një shumëllojshmëri faune ujore, por më e përhapur është trofta, që rritet vetëm në ujrat e ëmbla lumore.

Ky lum, vitet e fundit është bërë një destinacion turistik si për të huajt ashtu dhe për vendasit, nga ku vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë.

Çdo javë nisen drejt këtyre burimeve ujore me bukuri të rrallë agjenci të shumta të shërbimit turistik.

Lumi i Shalës është një dashuri me shikim të parë.

{gallery}