Lazareviq: Ballkani Perëndimor, “gropë” në një rrugë të asfaltuar Foto: Ilustrim

Lazareviq: Ballkani Perëndimor, “gropë” në një rrugë të asfaltuar

11 February 2018 12:45

Në qershor të vitit 2003 në Selanik, Bashkimi Evropian bëri një premtim që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen një ditë anëtare të bllokut. Kjo gjë shtoi besimin e një Europe të bashkuar, që në fillimvitet e shekullit të XXI-të ishte aq i madh, por 10 vite më vonë u duk se gjithçka u shua.

“Pas pranimit të Kroacisë në BE në vitin 2013, zgjerimit të mëtejshëm të unionit iu vu viza”, thotë në një analizë për “Deutsche Welle”-n, Krsto Lazareviq.

Kriza që filloi me falimentin e “Lehmann Brothers” çoi në humnerë shtete të tëra të Evropës, aq sa BE-ja rrezikoi të shpërbëhej dhe për zgjerimin e mëtejshëm as që mund të mendohej. Kjo situatë bëri që qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të vononin reformat e rëndësishme, e kësisoj të bëheshin më pak demokratike.

“Miqtë e BE-së në Ballkanin Perëndimor e ndjenë veten të mashtruar dhe aty u përhap cinizmi”, thotë më tej Lazareviq.

Megjithatë ka ende shpresë që ky cinizëm të kapërcehet, e kjo bazuar në dokumentin strategjik që u publikua të martën e kaluar nga Komisioni Evropian, prej të cilit bëhet e qartë se Mali i Zi dhe Serbia do të mund të bëhen anëtare të BE-së rreth vitit 2025.

“Në hartën e Evropës vihet re një boshllëk i shëmtuar me vendet që nuk janë pranuar ende. Boshllëku në juglindje të kontinentit të vjetër duket si një gropë e një rruge të asfaltuar që duhet mbushur shpejt, e nëse BE-ja nuk e bën këtë, atëherë forca të tjera do të tentojnë ta bëjnë”.

Për analistin, këto forca të tjera janë Kina, përmes projekteve në infrastrukturë; Rusia dhe Turqia, përmes investimeve në sektorin e energjisë; ndërsa Arabia Saudite dhe Katari me përpjekjet e tyre për të eksportuar një lloj islamizmi që ky rajon nuk e ka traditë.

Në themel të dëshirës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE është “malli për Evropën”, thekson Lazareviq. E kjo shihet qartë nga veprimet e disa qeverive.

“Ajo e Maqedonisë është gati të ndërrojë emrin e vendit për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje absurde me Greqinë, ndërsa ajo e Serbisë do të ishte gati të njihte Pavarësinë e Kosovës vetëm për t’u bërë pjesë e Evropës, pavarësisht se para popullit të vet nuk e pranon ende këtë realitet”, shprehet analisti për “Deutsche Welle”-n.

Megjithatë, disa kritikë do të pyesnin nëse 6 vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë standardet e larta për anëtarësim në BE. “Përgjigjja e sinqertë është Jo”, thotë Lazareviq, duke shtuar se as Serbia me Malin e Zi ndoshta nuk do të jenë në gjendje t’i plotësojnë të gjitha kushtet deri në vitin 2025.

“Por ky nuk është argument që mund të përdoret kundër zgjerimit, sepse askush nuk është perfekt”.

Lazareviq shtron për diskutim sesa vende do të mund të nxirreshin jashtë BE-së, nëse do të duhej të përdoreshin standardet e larta gjithandej. Italia, ndoshta për korrupsion masiv; Malta, si një vend ku gazetarët kanë frikë të bëjnë punën e tyre; Austria, tashmë me një qeveri pjesë e së cilës janë edhe radikalët e djathtë.

“Nëse BE-ja do të përbëhej vetëm nga vende që plotësojnë të gjitha kushtet e paketës së stabilitetit dhe zhvillimit, pa korrupsion dhe me standarde të larta për shtetin e së drejtës, lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e pakicave, atëherë BE-ja do të kishte vetëm 4 anëtarë: Luksemburgun, Danimarkën, Suedinë dhe Holandën. Gjermania dhe Finlanda do të mund të pranoheshin në BE së afërmi, nëse do të kursenin më shumë dhe do të ulnin borxhet shtetërore nën 60 për qind të PBB-së”, thotë analisti për medien gjermane.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme