Arbëri

Obiliqi, një Çernobil i ri

Çdo mëngjes dimri punëtorët mbështjellin fytyrat e tyre me shami dhe dalin qyteti i tyre i zhytur në mjegull, Obiliqi, të ngujuar në mes të dy termocentraleve në dalje të kryeqytetit të Kosovës.

Nëse s’bëhet gjë, “ky vend do të bëhet një Çernobil i ri... Do të na duhet të largohemi”, thotë për AFP-në Agim Ibrahimi, 46 vjeç, punëtor krahu që jeton në qytet.

“Tre anëtarë të familjes sime kanë vdekur nga kanceri... Është tokë kancerogjene”.

Pavarësisht drejtimit të erës, aroma e kripur e qymyrit të djegur përhapet nëpër Obiliq, ku jetojnë rreth 30 mijë banorë në mes dhe përreth termocentraleve, të njohura si Kosova A dhe Kosova B, transmeton Koha.net.

Të ndërtuara mes viteve 1965 dhe 1975, termocentralet prodhojnë më shumë se 95 për qind të energjisë elektrike të Kosovës por, bashkë me ngrohjen me qymyr nëpër shtëpi individuale dhe me trafikun ngarkuar, ndikojnë rëndë në cilësinë e ajrit.

Në Obiliq nuk ka monitorim të cilësisë së ajrit. Por në Prishtinë, Ambasada amerikane mat nivelet e ndotjes së ajrit, publikon të dhënat në ueb-faqe, duke e vendosur vendin në top-listë të qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Banorët e Prishtinës, të cilët shpesh dalin jashtë me maska në fytyrë, nuk kanë nevojë për të dhëna zyrtare për të shfaqur brengën e tyre për ndotjen e ajrit.

“Frymëmarrja dëmton seriozisht shëndetin”, shkruan në një pano gjatë një proteste të fundit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i ka thënë AFP-së se Kosova ka mungesë të opsioneve tjera të energjisë, siç janë hidrocentralet.

“Nuk kemi gaz, nuk mund të krijojmë termocentrale bërthamore. Ne kemi qymyr”, thotë Lluka, që thekson rëndësinë e pavarësisë energjetike në Kosovë.

Haki Jashari, drejtor i spitalit të vogël në Obiliq, thotë për AFP-në se, ndonëse e kupton rëndësinë e elektricitetit, “nuk mund të cenojmë të drejtën e qytetarëve ndaj shëndetit të mirë dhe ambientit të pastër”, transmeton Koha.net.

Vdekjet e parakohshme

KEK-u ka në pronësi 72 për qind të tokës në Obiliq dhe punëson 4,700 persona në termocentrale apo miniera, thotë kryetari i Komunës së Obiliqit.

Sahit Zeqiri, drejtor i shkollës teknike në Obiliq, thotë se çdo gjë është e kontaminuar: “Ajri të cilin e thithim, tokën që e kultivojmë, ujin që e pimë”.

Ai thotë se çdo ditë në dimër, pesë deri në 10 nxënës mungojnë, që janë viktima të bronkitit.

Sportet në ambient të hapur janë të ndaluara, dhe këtë vit, si pasojë e mungesës së borës apo shiut, grimcat mbeten në pezull në ajër, shton ai, transmeton Koha.net.

Asnjë epidemiolog nuk ka ardhur për të kalkuluar ndikimin e plotë në shëndet të dy termocentraleve të cilat pandërprerë nxjerrin tym.

Kosova A është me dizajn sovjetik që është riparuar disa herë, ndërsa më modernia, Kosova B, ka përdorur teknologjinë e ish-Gjermanisë Lindore për mihje të qymyrit gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.

Më 2013, Banka Botërore vlerësoi se kostoja e ndotjes vjetore të ajrit për Kosovën dhe 1.8 milionë banorët e saj shkon në 223 milionë euro – e barabartë me 5.3 për qind të bruto produktit të brendshëm.

“Ndotja e ajrit vlerësohet se shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 pranime në spital dhe 11,900 vizita emergjente çdo vit”, thotë raporti, transmeton Koha.net.

Ndihma ndërkombëtare?

Bibliotekari i pensionuar, Ruzhdi Mirena, 63 vjeç, duke folur për të vdekurit dhe të sëmurit, drejton gishtin kah shtëpitë e Hades, një fshat i mbështetur në një minierë qymyri.

“Këtu janë 85 familje, dhe, besofshi apo jo, nuk ka një që nuk është prekur nga kanceri”.

Jashari thotë se vetëm gjatë vitit 2017 ka regjistruar 88 raste të reja me kancer, ndërsa potencon edhe sëmundje tjera kardiovaskulare e të tjera.

“Ata që munden, ikin, për t’u larguar nga sëmundja dhe për t’i mbrojtur fëmijët e tyre”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Lluka ka publikuar planet për përmirësime të shpejta. Me ndihmën e Bashkimit Evropian, filterët e Kosovës B do të ndërrohen.

Në muajin dhjetor, Kosova nënshkroi një kontratë me një kompani amerikane për ndërtimin e një termocentrali 1.3 milionë eurosh që do të zëvendësonte Kosovën A, për të cilën Lluka thotë se do të lirojë 25 për qind më pak ndotje dhe katër herë më pak dyoksid karboni.

“Ne nuk po përballemi vetëm me sfidat e tanishme, por me ndotjen e akumuluar”, thotë Edmond Nulleshi, menaxher në KEK, ku janë investuar 60 milionë euro në ambient mes viteve 2012 dhe 2015.

Në bazë të një ligji të miratuar më 2016 por që ende s’ka hyrë në zbatim, KEK-u do t’i paguajë Komunës së Obiliqit 20 për qind të vlerës së qymyrit që mih, që do të trefishonte buxhetin e qytetit.

Kjo do të mund të ndihmonte në matjen e cilësisë së ajrit, të pastronte tokën dhe të forconte preventivën mjekësore, thotë kryetari i Komunës, Xhafer Gashi.

Në mënyrë që Kosova B të pajiset me teknologji të re dhe t’i plotësojë standardet e BE-së, do të duhen 300 milionë euro investime, thotë Nulleshi, i cili shpreson në ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë.

“Nuk është se kemi mungesë të vetëdijes mjedisore, por nuk jemi në nivel të Evropës perëndimore për sa i përket mundësive”, thotë ai.