Arbëri

Sejdiu: Kosova të respektojë parimet ndërkombëtare rreth demarkacionit, Speciales e Asociacionit

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ka thënë se Kosova duhet të respektojë në plotni parimet e drejtësisë ndërkombëtare sa i përket çështjes së demarkacionit, Gjykatës Speciale, por edhe formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, duke respektuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-presidenti i Kosovës, në ligjëratën para studentëve të kolegjit Globus, me temën “Shtetndërtimi i Republikës së Kosovës dhe roli i shteteve shqiptare në Ballkan dhe Evropë”, ka thënë se Gjykata Speciale erdhi pasi Kosova nuk i kreu detyrat e saj.

“Sa i përket çështjes së demarkacionit ka pasur nevojë për unitet në trajtim, dhe të respektohen në plotni parimet e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Sejdiu.

“Kurse, Gjykata Speciale, po të kryente Kosova punët në sundimin e ligjit nuk do shtrohej në këtë mënyrë… Por është përgjegjësi, sepse kanë hyrë në të. Kjo është e pranuar nga Kosova, është dizajnuar si është dizajnuar, do të kushtojë në ecjen tonë të mëtejshme. Por mund të gjendet rrugë dhe pjekuri politike të kapërcehet me urtësi dhe elita që udhëheq në mënyrë që gjenerata ta gjejë shpresën e vet për zhvillimin e jetës”, ka theksuar ish-presidenti Sejdiu.

Edhe për Asociacionit të Komunave Serbe, Sejdiu tha se Kosova e ka borxh ta formojë atë sikurse asociacionet që janë bërë më herët, duke respektuar pikat ku ka reaguar Gjykata Kushtetuese.

“Kosova e ka për borxh ta formojë Asociacionin, por nuk mund të lejojë de-unitarizimin e bashkësisë territoriale”, shprehet Sejdiu.

Sejdiu tha se e kaluara e Kosovës para vitit 98 e deri në shpalljen e pavarësisë kishte sfida të shumta. Prej sfidave kryesore ishte edhe dialogu me Serbinë.

“Ishim dëshmitarë të përjetimeve jo të lehta. Në secilën etapë të zhvillimit Kosova karshi trysnive të mëdha deri në nivelin e gjenocidit, ka ekzistuar një ndjenjë e veçantë e qytetarëve, popullit tonë të bëhet zot i vetes, një rrugë e cila nuk u ndal kurrë. Ishte një zjarr i pashuar. Duhet të falënderojmë njerëzit, brezat e të gjitha anëve të Kosovës që u sakrifikuan që të kemi një moment kulmor, shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si copën e madhe magnetike, drejt integrimeve evropiane”, tha ish-presidenti Sejdiu.

“7 universitete publike nuk mund t’i durojë Kosova”

Ish-presidenti i Kosovës, para studentëve, profesorëve e mysafirëve të tjerë, ka përmendur momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës për çlirim e shtet-ndërtim, që sipas tij, janë të lidhura si një segment.

“Asnjë temë apo çështje e pavarësisë nuk është lidhur vetëm me një moment. Por janë lidhur segmente të shumta… pjesë e historive të mëhershme të mëvonshme. Duhet të kemi respekt për komunitetet qe ishin pjesë e jona në këtë proces. Serbia ka nisur mbrapsht çdo gjë prej atëherë, dhe ndodhi intervenimi 78 ditësh”, ka kujtuar Sejdiu.

“Fati i madh ka qenë që në këtë proces të dialogut, pala jonë, ekipet mbështetëse që kemi pasur, kemi pasur një koordinim të jashtëzakonshëm me shtetet e fuqishme. Pala serbe është marrë me tema historike, duke e shfaqur një dashuri të jashtëzakonshme për mbajtjen e Kosovës. Kemi pasur fatin që të kemi në udhëheqje ish- presidentin Ahtisaari, që e ka njohur logjikën e veprimit, që në tavolinë para bombardimeve ka thënë nëse nuk doni të tërhiqeni nga kjo që keni, do të bombardoheni dhe ndodhi ajo çka ndodhi”.

Ai tha se në periudhën pas pavarësisë, Kosova ka përparuar, por që duhet ende përkushtim siç janë fushat e arsimit dhe ekonomisë.

“Kosova ka ndërtuar strukturën institucionale… Kosova ka ndërtuar edhe policinë, forcat e sigurisë që do transformohen në ushtri; AKI-në, rrjetin diplomatik, fillimisht me 10 ambasada, më vonë me 21, dhe me një prezantim të pjekur”, tha Sejdiu.

Fatmir Sejdiu foli gjithashtu edhe për nivelin e arsimit në Kosovë duke adresuar kritika, raporton Ekonomia Online.

“7 universitete publike nuk mund t’i durojë Kosova, është e rëndë 7 universitete për 1 milion banorë”.

“Duhet kontroll të thellë në arsim. Në kritere të evaluimit, të shikohet në provimet e maturës të merren rezultatet të shkëlqyeshme. Realiteti nuk është ashtu. Në universitete private duhet gjithashtu të shikohen kriteret”, tha Sejdiu.