Arbëri

Përplasja e Selimit me Prokurorinë e Policinë

Deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze, i ka cilësuar Prokuroria e Shtetit deklarimet e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili në seancën e së enjtes ka përmendur dyshimet për manipulimin e provimit të jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Prokuroria ka ftuar përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që të përmbahen nga, siç thuhet në komunikatë, deklarime të pavërteta, pasi të njëjtat thotë se mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.

Por deputeti Rexhep Selimi ka dy porosi për Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.

Ai thotë se reagimi i tyre kundrejt asaj që deklaroi në Kuvend, dëshmon politizimin e organit të akuzës dhe policisë si dhe vë vulën e së vërtetës në atë që kishte deklaruar.


Ky është vetëm fillimi, thotë Selimi, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri.

Ai thotë se nuk do të lejojnë që Prokuroria e Shtetit e as Policia të udhëhiqen nga njerëz të korruptuar, falsifikator dhe të paditur.

Pothuajse të njëjtin reagim e kishte bërë të enjten edhe Policia e Kosovës, duke thënë se deklarimi i deputetit të Vetëvendosjes është i pavërtetë dhe tendencioz.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, në seancën e së enjtes, foli për zhvillimet në IPK dhe tha se fakti që në krye të organit të akuzës është një njëri që mund të mos e ketë provimin e jurisprudencës, tregon që ka shtrirje të rrjetit kriminal deri në majat e policisë, duke vazhduar në segmente tjera deri te prokurori. Ai kërkoi nga drejtori i Policisë së Kosovës të mos i mbrojë ata që bëjnë vepra penale.