Thaçi “gjen fajtorët” përse BE-ja nuk e trajtoi Kosovën sikur shtetet tjera në Strategjinë për Zgjerim

Thaçi “gjen fajtorët” përse BE-ja nuk e trajtoi Kosovën sikur shtetet tjera në Strategjinë për Zgjerim

07 February 2018 10:24

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka “zbuluar” fajtorët për paaftësinë e Bashkimit Evropian që të ketë një qëndrim unik për Kosovën në Strategjinë për Zgjerim që u publikua të martën.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, derisa ka bërë thirrje që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi me qëllim që të hiqen vizat për Kosovën.

“Komisioni Evropian publikoi dje strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Këtë strategji e vlerësoj si një përpjekje të BE-së për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE”, ka shkruar Thaçi.

“Prandaj, e mirëpres hartimin e këtij dokumenti strategjik, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim të Bashkimit Evropian. Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqes një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka shtuar ai.

“Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”.

Thaçi ka shkruar se Kosovës i mbetet që të punojë për të mënjanuar barrierat politike për realizimin e aspiratës për integrime.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë potencialin e plotë të kësaj strategjie për të avancuar pozicionin tonë në rrugën drejt anëtarësimit, për zbatimin e reformave të nevojshme evropiane dhe për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja”, ka shkruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Bekim mitrovica07/02/2018 16:16

Fajtore jan udheheqesit e paafte te kosoves. Asnje nga ta nuk kan strategji per ta avancuar Kosoven para. Nese Kosova done perparim athere ai perparim varet nga aftesia per ta destabilizuar tere ballkanin asgja tjeter. Poashtu ketu nuk na kan bllokuar vetem Spanja e Greqia por tere EUja sepse ata e kan pare se ku mund te shypin pa kurrfare reakcioni.

El chapo07/02/2018 16:15

Thacic i din krejt!

Shto koment

Të ngjashme