Arbëri

Çfarë thanë Mogherini e Hahn për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë edhe formalisht pjesë e Bashkimit Evropian, meqë ndajnë bashkë të shkuarën, vlerat dhe kulturën, raporton KTV.

Ajo ka deklaruar se pret që deri më 2025 shtetet e këtij regjioni të bëhen pjesë e Unionit, por se i pret punë e madhe në disa fusha, sidomos në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar, ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka thënë se pret që të dy palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

“Progresi në rrugët evropiane të Serbisë dhe të Kosovës është i lidhur ngushtë me progresin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme normalizimi është urgjente dhe vendimtare në menyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë ajo.

Edhe komisionari, Johannes Hahn, tha se për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, me rëndësi kritike është dialogu mes dy vendeve.

“Ne duhet ta kuptojmë që nga ky regjion ose do te eksportohet stabilitet, ose ne do të importojmë jostabilitetit. Për këtë arsye kemi krijuar nisma strukturore si sundimi i ligjit, migracioni, ekonomia, lidhshmëria, telekomunimiket”, theksoi ai.