Ministri Pacolli: Strategjia, dritare historike për Kosovën me të ardhme në BE Foto: Koha

Ministri Pacolli: Strategjia, dritare historike për Kosovën me të ardhme në BE

06 February 2018 15:45

Lajmi i mirë nga Brukseli është se BE-ja po tejkalon të ashtuquajturën “enlargement fatigue” - lodhjen nga zgjerimi dhe i është rikthyer seriozisht rajonit tonë, ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një deklarate që përshëndet Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, të prezantuar sot në Strasburg.

Një perspektivë e besueshme e zgjerimit të BE-së, e që përfshin Ballkanin Perëndimor, është një angazhim i shtuar i Brukselit dhe shteteve anëtare.

Riafirmimi i një të ardhme euopiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga presidenti, Jean-ClaudeJuncker, hap perspektivë të re për më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë. Ky është obligim i BE-së për të ruajtur perspektivën kredibile të zgjerimit për rajonin.

Me Strategjinë për Zgjerim të BE-së, për Republikën e Kosovës hapet një dritare historike e mundësisë për t’u lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim me të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit.

E kemi menduar se për ne është trajtim i pabarabartë formulimi “frontrunners”. Ne kemi sugjeruar, që do të duhej të ofrohej një përkufizim i qartë mbi statusin e kandidatit për Kosovën, si dhe një kornizë e qartë kohore për hapjen e bisedimeve për procesin e anëtarësimit në BE.

Besoj fuqishëm se Kosova, sikurse vendet e Ballkanit Perëndimor, tashmë mund të përfitojë nga një stabilitet dhe prosperitet më i avancuar, e që do të mundësojë perspektivë të qartë europiane.

Ajo që duhet të na inkurajojë është se procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimor projektohet në frymën e Procesit të Berlinit, që parasheh involvimin e vetë BE-së në Planin e Veprimit për Mbështetjen e Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në fushat si në vijim:

1. Forcimin e mbështetjes për sundimin e ligjit, ku përfshihet matja e reformave në gjyqësi, luftimi i korrupsionit, mbështetja nga ekspertët e shteteve anëtare, monitorimi i proceseve gjyqësore, përkrahje e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, etj;

2. Shtimin e angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracion: angazhim i përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, postimi i oficerëve ndërlidhës të Europolit në të gjithë rajonin, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik, menaxhimi i kufirit, krijimi i qendrave koordinuese kombëtare për kontrollin e kufirit, bashkëpunim në politikën e përbashkët për punë të jashtme dhe siguri/ siguria e përbashkët si dhe politika e mbrojtjes, etj;

3. Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik, në të cilën përfshihen: Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor, garancitë për investimet private, zhvillimi i sektorit privat, rritja e potencialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja e hulumtimeve dhe ndërtimi i kapaciteteve të inovacionit, lehtësimi i tregtisë, forcimi i programit për reforma ekonomike, rritja e fokusit në punësim dhe në reformat sociale, etj;

4. Angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore, pjesëmarrjen e autoriteteve dhe organizatave të Ballkanit Perëndimor në punën e rrjetit të rregullatorëve të energjisë dhe operatorëve të sistemit të transmisionit dhe shpërndarjes;

5. Përkrahje në agjendën e digjitalizimit;

6. Mbështetja e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme