Arbëri

Ministri Gabriel në “Koha Ditore”: Evropa është në udhëkryq, por rruga përpara është e qartë

Descriptive Text

Projekti i integrimit evropian po sulmohet sot si asnjëherë tjetër, prej brenda dhe jashtë, andaj Evropa dhe interesat e vlerat e saj kanë nevojë të mbrohen bashkarisht, thotë ministri i Jashtëm dhe zëvendës-kancelari i Gjermanisë, Siegmar Gabriel, në një shkrim autorial që botohet të mërkurën, në “Koha Ditore”.

Vështrimi, i shkruar me rastin e 60-vjetorit të Traktateve të Romës, vëren se Evropa sot është në udhëkryq, por rruga përpara është e qartë.

“Për mua, është e qartë se rruga e integrimit evropian është e drejtë dhe shtegu i vetëm për ta rrahur. Le të mos e mashtrojmë veten. Në këtë botë të goditur prej krizave në të cilat asgjë nuk duket e sigurt në horizont, shtetet e Evropës mund të mbrojnë me sukses interesat dhe vlerat vetëm kur flasin njëzëri. Asnjë shtet evropian, madje as Gjermania, nuk mund t’ia dalë më vetëm. Bashkërisht, jemi larg më të fortë se përbashkësia e shteteve tona individuale. Duhet të mblidhemi bashkërisht tok nëse e kemi ndarë mendjen t’ia dalim me sukses”, shkruan Gabriel.

Sipas tij, 60-vjetori duhet të shërbejë si fener shprese dhe si thirrje për të luftuar për Evropën. “Nuk duhet të heshtim kur ka zëra që bëjnë thirrje për dhënien fund integrimit evropian”, ka shkruar ai në vështrim, të cilin mund ta lexoni të plotë nesër në “Koha Ditore”.