Arbëri

Kanceri po prek edhe të rinjtë në Kosovë

Foto: Ilustrim

Onkologu Ilir Kurtishi ka deklaruar se numri i të sëmurëve që diagnostikohen çdo vit me kancer në Kosovë është rreth 1500 persona.

Kurteshi, duke folur për ditën ndërkombëtare të kancerit, ka thënë se kanceri është vrasësi numër dy në botë.

Ai tha se kjo sëmundje është një qelizë e cila nuk vdes por vazhdimisht shumëzohet, jeton dhe shkakton probleme të mëdha, raporton KP.

“Dy vitet e fundit thuajse është numri i njëjtë i të sëmurëve, është diku 1400-1500 persona të rinj me këtë sëmundje për çdo vit. Te bota femërore dominon kancerit i gjirit, të meshkujt kanceri në mushkëri. Ky numër është trend në rritje por jo alarmante dhe shpresojmë që ky numër mos të rritet. Në rajon ky numër është më i madh”, tha ai.

Sipas tij, faktorët që ndikojnë në sëmundjet malinje në përgjithësi janë ndotja e ambientit, pirja e duhanit, pastaj ushqimi jo i mirë, ekspozimi i rrezatimit, ekspozimi i rrezeve të diellit në kohë pa kohë e të tjera.

Sipas tij, shqetësuese në këto shifra është se kohës së fundit po preken edhe të rinjtë nga kanceri.

“Edhe pse 50-60 vjetarët janë moshat më të prekura, shqetësuese në Kosovë është që po i prek edhe të rinjtë”, tha ai.