Arbëri

Ministria e Shëndetësisë shkel ligjin në tenderin milionësh

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim që Ministria e Shëndetësisë jashtëligjshëm ka zgjedhur furnizues për material të hemodializës në QKUK.

Ky institucion që gati 10 vite ka përdorur procedurë të mbyllur të tenderit për funksionimin e hemodializës. Ata gjatë këtyre viteve ia kanë dhënë tenderin për furnizim me material shpenzues në dializë vetëm një kompanie, pa procedurë të hapur dhe nuk kanë publikuar asnjëherë njoftimin e kontratës.

“Koha Ditore” edhe vitin e kaluar ka raportuar se QKUK-ja ka pranuar vite me radhë disa aparatura nga kompani private si donacion.

Por këto aparatura janë me sistem të mbyllur gjë që detyrimisht reagensat dhe materiali shpenzues në vlerë të miliona eurove në vit është dashur të blihen nga kompanitë që kanë dhënë donacionet.

Lexo edhe: Në QKUK japin donacione që të përfitojnë tenderë

Vetëm për dializë tenderi është mbi 1 milion euro.

Procedura e tillë përfundimisht është cilësuar e jashtëligjshme nga OSHP-ja. Ky institucion konsideron që MSH-ja jashtëligjshëm ka kontraktuar kompanitë pa procedurë të hapur.

“Obligohet Ministria e Shëndetësisë që tani e tutje të përdorë procedurat e hapura të prokurimit dhe të i trajtojë të gjithë operatoret ekonomik në mënyrë të barabartë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Gjykata e tenderëve siç njihet ndryshe OSHP-ja me anë të vendimit ia ka tërhequr vërejtjen MSH-së që një procedurë të tillë të mos e përdor tutje.

Kompania fituese për këto vite të këtij tenderi ka qenë kompania “Meditech” e cila përveç në dializë, brenda një viti merr edhe disa milionë euro tender nga MSH-ja për të furnizuar QKUK-në me citostatikë (barna për trajtim të sëmurëve me kancer).

{gallery}