Arbëri

OJQ-të akuzojnë Qeverinë për shkelje ligjore në përzgjedhjen e anëtarit të Nismës për Sekretar të MTI-së

Shoqëria Civile ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për emërimin e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së. Ka shprehur bindjen se ky vendim është në vazhdën e atyre me të cilët Qeveria Haradinaj po bën shkelje ligjore.

“Duke e vazhduar tashmë praktikën e shkeljes së ligjeve, Qeveria Haradinaj në mbledhjen e 29 janarit 2018 ka marrë edhe një vendim jo ligjor me rastin e emërimit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI). Me vendimin 11/26, qeveria ka emëruar Burim Rrecaj sekretar të përgjithshëm të MTI-së, edhe pse ai nuk i plotësonte kriteret për këtë pozitë të lartë në shërbimin civil”, thuhet në reagimin që e kanë nënshkruar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, INDEP, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Democracy Plus (D+), Çohu, Iniciativa për Progres INPO, Instituti Demokratik i Kosovës KDI, Columbus dhe Instituti D4D.

Këto organizata, në reagimin e përbashkët kanë shkruar se për intervistimin e kandidatëve për sekretar të përgjithshëm të MTI-së, komisioni vlerësues ka qenë i mbështetur edhe nga kompania britanike, sipas memorandumit të nënshkruar të Qeverisë së Kosovës me Ambasadën Britanike në Prishtinë (memorandum i nënshkruar rishtazi në mes të ambasadorit britanik dhe kryeministrit Haradinaj më 11 tetor 2017).

“Në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar sekretare e përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI. Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhet në reagim.

Reagimi shtron tutje se në bazë të nenit 15, paragrafi 3, të Ligjit për shërbimin civil, MAP i dërgon qeverisë për përzgjedhjen e njërit nga 3 kandidatët më të mirë në bazë të vlerësimeve të komisionit vlerësues.

“Do të ishte e logjikshme që qeveria të përzgjedhë kandidat-in/en i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve dhe jo të përzgjedhë kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret për atë pozitë”, thuhet në reagim.

“Për më tepër, Burim Rrecaj ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka shkelur Ligjin për shërbimin civil, ka politizuar një ndër pozitat më të larta në shërbimin civil, ka sakrifikuar profesionalizmin dhe ka shkelur të drejtat në punësim, si dhe ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit me Ambasadën Britanike për rekrutim të profesionistëve në pozita të larta shtetërore. Raste si këto dërgojnë sinjal jo të mirë tek të gjithë ata profesionistë që dëshirojnë të kontribuojnë në sektorin publik”, thuhet në reagim.

Me këtë shkresë, organizatat nënshkruese i bëjnë thirrje qeverisë që të anulojë vendimin 11/26 për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në MTI, dhe njëkohësisht kërkojnë intervenimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.