Arbëri

Dialogu Kosovë-Serbi rifillon në fund të shkurtit

Në fund të muajit shkurt do të fillojë përsëri dialogu Kosovë-Serbi, por ende nuk është caktuar një datë e saktë.

Këtë e ka bërë të ditur për Koha.net shefi i negociatave me Serbinë nga Qeveria e Kosovës, Avni Arifi.

“Dialogu do të jetë nga fundi i shkurtit por nuk është precizuar ndonjë datë apo pajtim me palë. Përndryshe nuk ka ndryshim”, tha ai.

Më 16 janar të muajit të kaluar, u parapa të mbahej dialogu Kosovë-Serbi pas më shumë se një viti pauzë, por megjithatë u anulua nga pala serbe.

Shkak për këtë doli të jetë vrasja e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në delegacion pritej të merrnin pjesë Avni Arifi, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci.

Se kush do të marrë pjesë në bisedimet e radhës në fund të këtij muaji, mbase edhe mund të ndryshoj.

“Varet. Këta më lartë gjithsesi por varësisht nga temat mund të ketë edhe ekspert sektorial”, tha tutje Arifi për Koha.net.

Së fundi edhe presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e Serbia do të arrijnë marrëveshje për normalizim, për paqe dhe pajtim të qëndrueshëm ndërshtetëror.

Ai ka komentuar edhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke thënë se kjo vrasje nuk ka të bëjë asgjë me raportet shqiptare dhe serbe, prandaj bisedimet duhet të vazhdojnë.