Arbëri

Financial Times: BE zgjerohet në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën

Plani i BE-së është që të anëtarësojë gjashtë shtete: Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, por bashkë me to edhe shtetin e Kosovës, shkruan Financial Times, transmeton Koha.net.

Sipas kësaj gazete, arsye kryesore për këtë veprim të Brukselit është se Ballkani shërben si “shteg” kryesor” për depërtimin e mija emigrantëve për në Bashkimin Europian. Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. FT thekson se strategët e BE-së druajnë se Rusia po zgjeron në përmasa të rrezikshme zonën e vet të ndikimit, pikërisht në territorin ku tradicionalisht ka aleatë.

Siç vë në dukje kjo gazetë, Moska ka nisur të komentojë me cinizëm premtimet që BE ua bën vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me anëtarësimin, duke imponuar veten si “alternativë”.

“Një numër jo i vogël qytetarësh në rajon beson se vendi i tyre kurrë nuk do të jetë pjesë e BE-së” citon FT Florian Biberin, eksperti për Europën Juglindore në Universitetin e Gracit.

Plani i ri i Brukselit do t’i prezantohet Komisionit Europian pikërisht më 6 shkurt, kur BE-ja do të duhej, sipas paralajmërimeve të mëhershme, ta bëjë publik planin për Ballkanin Perëndimor, transmeton Koha.net.

Financial Times thekson se plani i ri do të miratohet.

Afati për “zgjerimin e madh të BE-së” do të jetë data tashmë e përmendur, viti 2025, si datë kur Serbia do të bëhet anëtare e BE-së. Shumëkush mendon se kjo datë është tepër ambicioze, por diplomatë të BE-së thonë se kjo është shumë e nevojshme në mënyrë që “ të forcohet lidhja midis Brukselit dhe shteteve që dolën nga zhbërja e RSFJ – Jugosllavisë".

Një diplomat i BE-së i cili angazhohet për zgjerimin e BE-së, transmeton Koha.net shkrimin e kësaj gazete, thotë se “kjo gjashtëshe nuk është jashtë BE-së, por tashmë janë brenda saj dhe se i duhen Brukselit”. Po ashtu sipas tij, viti 2025 është data kornizë, që i përshtatet ndryshimeve.

Megjithatë, Financial Times thekson se kjo gjashtëshe do të jetë e detyruar, para anëtarësimit përfundimtar, të zgjidhë përfundimisht të gjitha problemet e hapura që ekzistojnë me vite, si dhe problemin e korrupsionit. Me këtë vështrim, siç theksohet, më afër qëllimit 2025 janë Serbia e Mali i Zi.

Gazeta po ashtu nënvizon se edhe Bullgaria, e cila aktualisht kryeson Unionin, por edhe Austria, e cila do të vijë pas saj, kanë vënë si prioritete pikërisht zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.