Arbëri

Zaev shpreson zgjidhjen për emrin e Maqedonisë deri nga mesi i vitit

Shkup, 2 shkurt - Kryeministri Zoran Zaev pret që deri nga mesi i vitit të gjendet zgjidhje për kontestin 25-vjeçar për emrin me Greqinë dhe në Samitin e NATO-s në qershor të aktivizohet ftesa për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë.

Në deklaratë për televizionin bullgar "Nova", Zaev thotë se zgjidhja eventuale do të duhet të miratohet në referendum.

"Referendumi duhet të jetë garancë shtesë edhe për miqtë tanë nga Republika e Greqisë, pasi me këtë definitivisht do të hiqen të gjitha dyshimet, ndërsa populli do të qëndrojë pas zgjidhjes, e cila do të pranohet. Jam i bindur se maqedonasit janë të gatshëm për këtë. Por, ende jemi në negociata dhe shpresoj se zgjidhja do ta ruajë dinjitetin e qytetarëve edhe të Greqisë edhe të Republikës së Maqedonisë", tha Zaev.

Ai shton se "së bashku me fqinjët jugorë nga Greqia bëjnë çmos që të hapet debat i brendshëm dhe të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët".

"Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje, të cilat janë mjaftë të pranueshme për të dy palët për shkak se në fund zgjidhja duhet ta ruajë dinjitetin dhe identitetin e dy vendeve. Vetëm ashtu ndërtohen miqësi dhe kjo duhet të jetë në një bazë të përhershme dhe të qëndrueshme. Tërë këtë e them për shkak se nëse bëhemi të mençur më herët ta zgjidhim problemin, do të arrijmë t'i kapim edhe perspektivat e këtyre vendimeve", thotë Zaev.