Arbëri

Haradinaj heq dorë përkohësisht nga vendimi për rritje pagash – i dhimbsen gjyqtarët e prokurorët

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është tërhequr nga vendimi për rritjen e pagës së vet dhe të zyrtarëve tjerë qeveritar, ndonëse përkohësisht.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj ka thënë se opinionin e Agjencisë Kundër-Korrupsion, lidhur me nivelizimin e pagave, “e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht”.

Për këtë opinion të AKK-së, Haradinaj ka thënë të kenë dorëzuar “përgjigje të qartë” dhe kjo është e njohur për opinionin.

“Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi. Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave”, ka shkruar Haradinaj.

Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, Kryeministri tha se “do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend”.