Arbëri

Veseli thotë se Kosova do të çojë përpara agjendën për reforma evropiane

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas një njoftimi nga Kuvendi, Veseli dhe Apostolova diskutuan për angazhimet dhe prioritetet e punës së Kuvendit për gjatë vitit 2018.

“Kreu i Kuvendit e njohu përfaqësuesen e lartë të BE-së për rrjedhën e deritashme të punës së legjislativit, ndërsa konfirmoi përkushtimin për të trajtuar me prioritet të gjitha projektligjet që ndërlidhët me procesin e agjendës për reformë evropiane”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se Veseli ka shprehur zotimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin me BE-në.

“Kryeparlamentari Veseli theksoi se institucionet e Kosovës do të kryejnë të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe do të përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për rrugën euro-atlantike të vendit”, thuhet më tej në njoftim.