Kosova i plotëson kushtet e brendshme për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës Foto: KP

Kosova i plotëson kushtet e brendshme për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës

30 January 2018 13:55

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme, ka diskutuar për procesin e aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjegjësisht për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Enver Hoxhaj, Zëvendëskryeministër, raportoi para këtij komisioni, ku munguan tre anëtarë.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit, kërkoi nga Hoxhaj që të tregojë për strategjinë e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në mënyrë që të evitohen gabimet si në rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Hoxhaj tha se deri më tani Kosova është anëtarësuar në 66 organizata të ndryshme në Evropë e më gjerë.

“Kur të anëtarësohesh në një organizatë, mund t’i japësh votën dikujt dhe shkëmbime të ndryshme. Sa i takon Këshillit të Evropës, kemi bërë disa përgatitje dhe ka progres ani pse është temë e vjetër. Jemi anëtarësuar fillimisht në Bankën e Këshillit dhe qëllimi kryesor krahas nevojave ka qenë testimi i brendshëm se a mund të anëtarësohemi”, tha Hoxhaj, raporton KTV.

Zëvendëskryeministri tha se Kosova nuk është shtet anëtar i Këshillit të Evropës, por “pjesëmarrja jonë në komitete të ndryshme ndihmon në këtë proces”.

“Banka e Këshillit të Evropës është e fuqishme ashtu siç është Komisioni i Venecias. Ne do ta dërgojmë aplikimin në Këshill të Evropës dhe kam parë modele të ndryshme ku secili vend për t’u bërë shtet anëtar në KE, këtë e realizon pas 2 vite e gjysmë. Edhe ne nëse aplikojmë tash, mund të anëtarësohemi në fund të vitit 2020”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, Franca e Holanda në kontinuitet udhëheqin me Këshillin e Evropës e më pas vjen Gjeorgjia e më pas është Gjermania, që do të thotë se deri në nëntor ta vitit të 2020 i kemi këto shtete që udhëheqin në kontinuitet.

“Kosova i plotëson kriteret e brendshme për anëtarësim, por mund të bëhemi pjesë e KE-së edhe për shkak të një mbështetje të madhe të shteteve anëtare”, u shpreh ai.

Tre deri në 4 vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Hoxhaj tha se ia kanë konfirmuar se do ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në KE, pa i përmendur emrat e tyre.

Ai tha se benifiti i parë konkret vetëm me aplikim është që mund të bëhemi anëtar të procesit të Bolonjës.

“Roli i KE-së në zbatimin dhe impelmentimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të ishte e favorshme. Është koha e fundit që në janar e shkurt të kemi një bashkërendim me Presidencën, Qeverinë e Kuvendin. Jam i mendimit që duhet të hartohet një grup punues në përbërje të këtyre tre institucioneve që të bëjmë një plan afat-shkurtër se çfarë mund të bëjë secili institucion në këtë pjesë. Kushtet janë ideale që të tani të aplikojmë”, tha Hoxhaj.

Vjosa Osmani nga LDK pyeti Hoxhajn nëse iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale mund të ndikojë tek shtetet e fuqishme e tek të cilat duhet të mbështetemi jashtëzakonisht shumë dhe a mund të zmbrapsen ato dhe a mendoni se është hap i mirë aplikimi tani apo tek pastaj kur të sqarohen shtetet që mund të kenë rol kyç.

Aida Dërguti nga VV tha se ndikimi i Rusisë edhe kur nuk është prezente është jashtëzakonisht e madhe, dhe duhet pasur parasysh edhe Serbinë e cila është shumë e afërt me vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Po ashtu mendoj se është e rëndësishme se kush do të jetë konsull i ri”, tha Dërguti.

Ndërsa Hoxhaj tha se nuk dëshiron që të bëjë koment sa i takon iniciativës për shfuqizimin e Speciales.


“Ka një momentum i cili mund të shfrytëzohet pavarësisht zhvillimeve në vend. Të gjithë ata që duan të merren me politika të jashtme, duhet të formojnë një grup deputetësh për këtë çështje. Punë e madhe i pret deputetët e vendit për këtë çështje. Jemi të mendimit që Komisioni për Punë të Jashtme ta ketë një rol të plotë në anëtarësimin e Kosovës në KE. Pastaj roli i deputetëve është që të përcaktojnë atë se çfarë vendimi mund të merr ministri i Jashtëm dhe të shihni se si t’i qaseni kryetarit italian të Asamblesë së Këshillit të Evropës”, u shpreh ai.

Ai tha se Rusia ka ndikim, por ndikimi ka të bëjë edhe me atë se çfarë buxheti mund të paguajnë shtetet e Evropës dhe aktualisht 2 vendet që e kanë njohur Kosovën kanë paguar më shumë, që do të thotë se janë më të fuqishme.

Hoxhaj përmendi edhe faktin se Rusia është e suspenduar nga Këshilli i Evropës, gjë që përbën një fakt pozitiv proceduralisht dhe politikisht për aplikacionin e Kosovës.

Evgjeni Thaçi Dragusha nga PDK, tha se ky komision është i gatshëm të ndihmojë vendin në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Ju përmendët që vendimi për anëtarësim të Kosovës mund të ndodhë në vitin 2020, pikërisht në kohën kur Gjeorgjia mban kryesimin dhe nuk e di sa është e mundur që ne si komision të propozojmë krijim të një grupi të miqësisë. Ky do të ishte ndoshta kontributi ku ne do të mund të lobonim për anëtarësimin e Kosovës në KE”, u shpreh ajo.

Zafir Berisha nga Nisma tha se është kohë ideale për aplikim për Këshill të Evropës.

“Edhe në UNESCO i patëm shumë shtete mike por ato votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ndaj, prioritet yni duhet të jetë angazhimi i madh në këtë aspekt. Duhet të sigurohemi se me çfarë rezultatesh do të dalim nga aplikimi”, u shpreh ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme