Arbëri

Kotzias: Shqipëria dha Ok, shtrirja e Greqisë në det deri në 12 milje

Dalin në dritë detaje të reja nga bisedimet Bushati- Kotzias të zhvilluara në Kretë dhe Korçë. Vetë shefi i diplomacisë greke Kotzias për herë të parë ka dhënë detaje për Shellfin Kontinental, i njohur ndryshe si kufiri detar mes dy vendeve një prej temave të nxehta në tryezën e bisedimeve.

Kotzias ka bërë publike detajet duke treguar se çfarë është arritur për kufirin detar. “Shqipëria ka pranuar të drejtën tonë për shtrirjen 12 milje”, kështu ka deklaruar ai gjatë një interviste dje në darkë për televizionin shtetëror ERT.

Marrëveshja për kufirin detar që mori firmat e ish-ministrit të jashtëm demokrat, Lulzim Basha dhe ish-homologes së tij Bakojanis nuk u zbatua asnjëherë. Këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e gjeti problematike dhe e shpalli antikushtetuese.

Ndërkohë, një ditë më parë, kryediplomati grek iu përgjigj interesit të opozitës lidhur me çështjen Çame. Ai ka thënë se në tryezën e negociatave me Bushatin nuk është diskutuar për një gjë të tillë, pasi siç është shprehur Kotzias, kjo çështje për Athinën nuk ekziston. Duke zbuluar detaje nga negociatat tre ditore në Korçë, Kotzias ka thënë me Bushatin është rënë dakord për çështjet bilaterale dhe me interes dypalësh të cilat kanë mbajtur larg dialogun mes dy vendeve 70 vitet e fundit.