Arbëri

Bytyqi: S’do të mbyllim universitete, por do të shqyrtojmë punën e tyre

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se kjo ministri nuk do të bëjë mbylljen e universiteteve, siç ishte thënë më parë, por vetëm do të bëjë shqyrtimin e punës së tyre.

Në komisionin e Kuvendit për Arsim ai ka thënë se MASHT nuk do të mbyllë programe, por nuk do të tolerojë më gjendjen aktuale.

“Nuk do të mbyllim universitete, por do të shqyrtojmë punën e tyre, ku mund të vijë deri te riorganizimi i punës së tyre. Gjendjen e tanishme nuk duhet ta tolerojmë pasi baza e cilësisë së arsimit në universitetet tjera publike duhet të jetë të paktën në minimumin e Universitetit të Prishtinës. Sa i përket kolegjeve private, cilësia po ashtu nuk është e mirë. Nuk jam i kënaqur. Duhet të ketë rend”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar një provim shtetëror për të gjithë studentët në mënyrë që të ndahen në dy kategori.

“Do të ketë provim shtetëror që nuk do të prekë notën e studentëve, pos që do t’i ndajë ata në dy kategori, që dallojnë përmes aftësive të marra gjatë studimeve”, ka thënë ai.