Arbëri

BIK-u mohon të ketë organizuar “Lutjen e fitores”, ajo u organizua nga Ambasada turke

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), përmes drejtorit për shtyp dhe veprimtari botuese, Ahmet Sadriu, ka thënë se “Lutja e fitores”, e mbajtur në xhaminë e Prizrenit në përkrahje të ushtarëve turq në Siri kundër kurdëve, është bërë nën organizimin e Ambasadës së Turqisë, komunitetit turk dhe me përkrahje të kontingjentit turk të KFOR-të, i cili është në Kosovë dhe të cilës i ka prirë atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë.

Sadriu thotë për Kosovapress se ata kanë bërë një lutje pas namazit të jacisë dhe ka thënë se si xhamia që është vend lutjeje, janë edhe kishat dhe sinagogat, vende ku shkojnë njerëzit dhe luten, “i drejtohen krijuesit të gjithësisë për çështje të ndryshme të tyre”.

“Në këtë rast, ne e shohim si një organizim të tillë që e ka organizuar komuniteti turk në përkrahje të vëllezërve të tyre turq në Turqi, asgjë më shumë se kjo”, tha Sadriu.

Ndërsa i pyetur se a do të duhej të organizohen këso lutjesh edhe nga kurdët e Sirisë që janë myslimanë, ai tha se nuk sheh asgjë të keqe pasi organizimi është bërë nga komunitetit turk dhe se xhamitë janë vende ku mund të luten myslimanët.

“Unë e shoh që këta janë organizuar si komunitet mysliman, si turq që e kanë parë të arsyeshme që ta bëjnë një lutje të tillë dhe absolutisht nuk shohë asgjë më shumë nga kjo. Unë e thashë, xhamia është vend lutjesh dhe aty myslimanët luten”, tha Sadriu.

Ai po ashtu tha se kjo nuk është organizim i BIK-ut dhe ka hedhur poshtë se në Kosovë ka Diyanet.

“Mua më vjen keq që kështu ka dalë edhe në media, dhe e kam dëgjuar edhe vetë se kinse Bashkësia Islame e Kosovës e ka organizuar këtë. Nuk është organizim i BIK-ut siç e thashë edhe më herët është organizim i komunitetit turk në bashkëpunim dhe në koordinim me Ambasadën dhe kontingjentin e KFOR-it turk këtu në Kosovë. Diyaneti turk është njëjtë si BIK-u që është këtu që është përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e jetës fetare islame në Kosovë. Unë e thashë, Ambasada e Turqisë nga stafi i tyre e kanë edhe atasheun për çështje fetare që e përfaqëson shtetin e Turqisë për çështje. Kjo është ajo, nuk ka Diyanet këtu”, tha Sadriu.

Sadriu shtoi se në BIK nuk ka asnjë nëpunës të huaj, por të gjithë të punësuarit janë me shtetësi të Kosovës.

“Kjo është ajo e veçanta me të cilën ne dallohemi dhe specifikohemi si BIK, ku brenda institucionit të BIK-ut nuk ka asnjë nëpunës jashtë qytetarëve apo nënshtetaseve të Kosovës. Edhe pse nëpër bashkësi fetare kemi që shërbejnë, në BIK gjithherë e kemi thënë nuk ka asnjë punëtor, asnjë nëpunës, asnjë imam që është jashtë nënshtetasit të Kosovës”, tha Sadriu.

Ndërsa i pyetur se a po përzihet BIK-u në politikën e jashtme, ai tha se nuk përzihen, pasi ata janë vetëm për çështje religjioze.

“Për çështje politike neve mos na ngatërroni me na pyet. Ne jemi për çështje religjioze për të cilat jemi të ngarkuar dhe i përgjigjemi asaj. Edhe këto pyetje nuk na takojnë neve, janë për të tjera institucione. Unë thashë më herët që BIK-u s’ka organizim këtu, edhe absolutisht kjo nuk ka të bëjë me neve, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që diçka rreth kësaj të përgjigjem”, tha Sadriu.

Ai në fund ka thënë se në BIK si pjesë integrale përveç komuniteteve të tjera si romë e boshnjakë, janë edhe turqit.

“Mos të harrojmë se pjesë integrale e Bashkësisë Islame të Kosovës janë edhe komuniteti turk, të cilët veprojnë nën ombrellën e BIK-ut, njëjtë qysh janë edhe boshnjakët, goranët, romët, ashkëtinjtë, janë pjesë integrale e BIK-ut, janë xhamitë që i vijojnë, i kryejnë ritualet nëpër xhami. Nuk mundemi absolutisht atyre t’ua mohojmë, t’ua që ata të shkojnë ta bëjnë namazin edhe të luten siç kanë bërë lutje pas namazit, ka qenë organizimi, kanë këndur Kuran kanë bërë lutje për vëllezërit e tyre siç mendoj që njëjtë do ta kishim bërë edhe ne si shqiptarë për vëllezërit tanë shqiptarë, qa do të thotë unë e shoh në këtë kontest gjithë këtë zhvillim, asgjë tjetër më shumë”, tha Sadriu.

Në xhaminë “Sinan Pasha”, në Prizren, të mërkurën e kaluar është kryer e ashtuquajtura “Lutja e fitores”, në mbështetje të Forcave të Armatosura të Turqisë, të cilët kanë nisur operacionin “Dega e Ullirit” kundër pozicioneve kurde në rajonin Afrin të Sirisë.

Kështu thuhet në një raport nga Agjencia turke e lajmeve Anadollu, sipas së cilës “Lutja e fitores” është kryer pas namazit të jacisë me leximin e sures El-Feth'.

Programi është udhëhequr nga Mustafa Tombas, i cili thuhet se është përfaqësues i Diyanetit dhe imam në xhaminë ‘Sinan Pasha’ të Prizrenit. Në këtë program, ka qenë prezente edhe Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcım Kiliç dhe konsullja e përgjithshme e Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, thuhet në njoftimin e Anadollu.

Po sipas kësaj agjencie, ky organizim është bërë në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës së Turqisë (Diyanet).