Arbëri

PDK: Nxënësit e Podujevës rrezikohen nga qentë endacakë dhe nga mësimdhënësit e pakualifikuar

Descriptive Text

Vizitat e kryetarit aktual të komunës së Podujevës nëpër shkolla së bashku me ekipet e QKMF-së, tani që jemi në vitin elektoral të zgjedhjeve lokale, janë më shumë për marketing politik, sesa që kryetarit Veliu i intereson shëndeti i fëmijëve të Podujevës, pasi kanë kaluar 3 vite të këtij mandati dhe kjo praktikë s’kishte ndodhur asnjëherë.

Kështu thuhet në një reagim të degës së PDK-së në Komunën e Podujevës, ku ndër të tjera theksohet se nxënësit e disa shkollave të qytetit të Podujevës rrezikohen nga qentë endacakë.

“Nxënësit e pesë shkollave fillore në qytetin e Podujevës, e sidmos tri prej tyre që janë në qendër të qytetit, ajo “Shaban Shala”, “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, janë të rrezikuar në mënyrë të përhershme nga tufat e qenve endacakë, të cilët sillen rreth e qark qytetit të Podujevës. Komuna e Podujevës, ka derdhur mijëra euro në Shoqatën e Gjuetarëve “Llapi”, pagesë kjo për eliminimin e qenve endacakë, sipas një marrëveshje të arritur më herët, e problemi vazhdon të jetë i tillë, ndërsa fondet janë thithur, kurse efekti është zero”, thuhet në reagimin e PDK-së së Podujevës.

Sipas kësaj partie, për të siguruar të ardhme të ndritur për të rinjtë dhe të rejat e Komunës së Podujevës, kryetari Veliu “duhet të heq dorë nga politizimi i skajshëm i arsimit në Podujevë, sepse kjo është mënyra e cila po e vret të ardhmen dhe dijen e nxënësve tanë”.

“Në qeverisjen e komunës së Podujevës nga LDK-ja, ndër vite numri i të punësuarve të pakualifikuar dhe jashtë profesionit në arsimin paraunversitar, fillor dhe të mesëm ka arritur në qindra. Ky lloj operacioni social pa anestezion ka ndikuar që suksesi i nxënësve të shkollave të mesme asnjëherë mos të jetë më i lartë se 2.3, si notë mesatare (mjaftueshëm)”, thekson PDK.

PDK, këto veprime i quan “despotike”, ndërsa thekson se të njëjtat “përdhosin dhe persekutojnë dinjitetin njerëzor dhe familjar, mundin dhe djersën e familjeve që ndajnë kafshatën e gojës për shkollimin e fëmijëve të tyre, ndërsa të pakualifikuarit japin mësim, kurse ata me diploma universitare bredhin rrugëve”.