Arbëri

Mustafa: Ambienti i të bërit biznes, i volitshëm – po përmirësohet vazhdimisht

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ku kanë biseduar për situatën e të bërit biznes në Kosovë.

Në takim, Mustafa ka thënë se ambienti i të bërit biznes në vend është i volitshëm dhe, sipas tij, po shkon duke u përmirësuar vazhdimisht.

“Biseduam lidhur me situatën aktuale të të bërit biznes në Kosovë, e veçmas për një hulumtim që e ka bërë OEK lidhur me të bërit biznes. Ambienti është shumë i volitshëm dhe po përmirësohet edhe më tutje. Po hapen tregje të reja në vend”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa pas një takimi që ka mbajtur me kryetarin e OEK-ut, Safet Gërxhaliu, raporton KTV.

Kurse Gërxhaliu, nga ana e tij, ka treguar më shumë detaje në lidhje me hulumtimin e bërë.

“Për 2016 e kemi kompletuar një analizë me 400 biznese. Dua të besoj që të kemi pakon e 2-të fiskale si garancë për krijimin e vendeve të reja të punës. I kemi identifikuar 10 sfidat e të berit biznes e këtu numër 1 është energjetika pastaj informaliteti, etj. I kemi adresuar kërkesat dhe besoj duhet të bëhet më shumë rreth energjetikes”, ka thënë Gërxhaliu pasi i ka dorëzuar kryeministrin raportin e të bërit biznes në Kosovë.