Arbëri

Ismaili kërkon mobilizim për furnizim më stabil me barna

Pesë muaj pasi ka marrë postin, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka takuar sot drejtorët e Spitaleve Rajonale, të QKUK-së dhe udhëheqësit e Barnatores Qendrore, me ç’rast ka kërkuar të forcojnë bashkëpunimin mes tyre për të stabilizuar furnizimin me barna.

“Spitalet Rajonale dhe klinikat e QKUK-së do të kenë furnizim më të mirë me barna dhe me material shpenzues. Që kjo të ndodhë sa më parë, sot thirra në takim mobilizues drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe të spitaleve rajonale, si dhe udhëheqësit e Barnatores Qendrore”, ka treguar Ismaili në një postim në Facebook.

Ismaili më pas ka shtuar se në këtë takim ka kërkuar që menaxherët e institucioneve shëndetësore të jenë agjentë të ndryshimit të gjendjes në këtë sektor.

“Ky mandat do të jetë mandat i ndryshimit në shëndetësi dhe unë do të jem aleat dhe mbështetës i të gjithë atyre që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij ndryshimi”, ka shkruar ai.