Arbëri

Ministria e Mjedisit paralajmëron udhëtim pa pagesë me Trafik Urban për të ulur ndotjen e ajrit

Descriptive Text

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkëndien me qytetarët për nivelin e ndotjes së ajrit këto ditë në kryeqytetin tonë.

Ministrja e kësaj ministrie, Albena Rexhitaj, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se që nga dita e parë e punës në këtë dikaster, ka filluar të punojë me përkushtim në gjetjen e mënyrave profesionale për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Pjesë e këtyre koordinimeve ka qenë edhe takimi me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin, Reshitaj thotë të jenë dakorduar për shfrytëzim pa pagesë të transportit publik gjatë periudhave kur niveli i cilësisë së ajrit është larg normave të lejuara.

“Ne u pajtuam që në periudhat kohore kur kemi tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit, të reduktojmë qarkullimin e veturave në disa lagje duke bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt shpresoj që do të realizohet”, tha Reshitaj në këtë reagim, raporton Koha.net.

Ministrja thotë të ketë krijuar grupin për hartimin e Planit të Aktiviteteve për reduktimin e ndotjes së ajrit si dhe ka kërkuar nga ekspertët e fushës që të sjellin informacione për gjendjen dhe alternativat e mundshme të përmirësimit të tij në kohë reale.

Thotë se gjerat nuk zgjidhen me shkop magjik, “e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara”.

“Në të kaluarën realiteti i ndotjes së ajrit edhe është demantuar. Ne nuk e mohojmë atë, përkundrazi e potencojmë dhe luftojmë ta bëjmë prioritet edhe institucional edhe shoqëror”, shprehet Reshitaj.

Sipas ministres, vetëm kryeqyteti i Kosovës përballet me gjendje jo të mirë të ajrit.

“Në kryeqytetin tonë të mbingarkuar dhe rrethinën e tij, për shumë vite me radhë ka ekzistuar një gjendje alarmante e vlerave të larta të ndotjes së ajrit , por asnjëherë ndotja e ajrit nuk është vënë si prioritet i qeverisë, madje ende asnjëherë që nga paslufta nuk ka pas komunikim ndërinstitucional të akterëve përgjegjës dhe kompetentë për mbrojtjen e mjedisit. Ne i takuam në një tavolinë të përbashkët të gjithë ministrat e linjës, hartuam planin e aktiviteteve në faza, identifikuam ndotësit më të mëdhenj, vizituam KEK-un dhe kërkuam nga inspektorati kontrolle më të rrepta e gjoba për të gjithë ata që ndotin ajrin”, thotë më tej ministrja e Mjedisit.

Ajo ankohet edhe në ligjin e trashëguar për mbrojtjen e ajrit nga ndotja i cili, sipas saj, kishte zbrazëtira dhe ishte i pazbatueshëm “kurse ne tani jemi në fazën e miratimit të ligjit të ri, që do të rregullojë sektorët që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, duke përfshirë edhe përdorimin e lëndëve djegëse si ndotës të ajrit”.

“Duke marrë parasysh që pos KEK-ut, fabrikave e veturave, ndotja e ajrit po vjen edhe nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje, ne kërkuam që institucionet gjegjëse qeveritare të punojnë në gjetjen e alternativave për ngrohje dhe të fillojmë të reduktojmë përdorimin e thëngjillit. E di që përdorimi i thëngjillit ka kosto më të ulët, por disa herë e kam thënë dhe po e potencoj sërish që kostoja për shërim nga sëmundjet që vijnë nga ndotja e ajrit është shumë më e lartë”, potencon Reshitaj.

Veturat e shumta, KEK-u, përdorimi i thëngjillit (madje edhe i gomave) për ngrohje, kushtet e pa favorshme atmosferike, sipas ministres, janë faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit.

“Ne duhet të punojmë me përkushtim dhe pandërprerë, jo vetëm kur ballafaqohemi me situatën , por të krijojmë një vetëdijesim që angazhimi ynë si institucione dhe shoqëri dhe aplikimi i strategjisë për mbrojtje të mjedisit të jetë i përhershëm”, u shpreh ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj.

Kjo ministri thotë të ketë kërkuar nga institucionet përkatëse që të realizojnë përgjegjësitë e tyre ligjore që kanë në lidhje me ajrin e pastër, disa prej të cilëve, thotë Reshitaj, veçse kanë filluar me ndërmarrjen e masave konkrete.

Si pika kyçe për të përmirësuar gjendjen e ajrit në vend, ministria e Mjedisit thotë të ketë kërkuar zbatimin e Udhëzimit Administrativ që obligon Ministrinë e Infrastrukturës që të mos lejojë regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.

Po ashtu, kërkon të bëhet kontrollimi i cilësisë së derivateve të naftës që importohen në Kosovë.

“Ndërtimi i Unazës së brendshme të kryeqytetit dhe zhvendosja e administratës shtetërore në Hajvali; Zgjerimi i sistemit të kogjenerimit; Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, me filtrat e teknologjisë së fundit me kërkesën time; Krijimi i zonave të reja të gjelbra etj”, ka thënë Reshitaj, duke theksuar se të gjithë këto masa do të ndikojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit.

“Prandaj të nderuar qytetarë, ju ekspertë e kritikë të situatës, mirëpres angazhimin tuaj në reduktimin e ndotjes së ajrit, duke reduktuar përdorimin e veturave, përdorimin e thëngjillit për ngrohje si dhe duke dhënë kontributin tuaj konkret për reduktimin e ndotjes së ajrit”, përfundon reagimi i ministres Albena Reshitaj.