Arbëri

Vlerësohet përkrahja e Gjermanisë për Kosovën

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot zëvendës Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss, me të cilin diskutoi për procesin integrues të Republikës së Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për përfshirjen e Kosovës në Strategjinë e zgjerimit.

Hoxha, ka vlerësuar jashtëzakonisht përkrahjen e Gjermanisë në të gjitha proceset e shtetformimit dhe shtetndërtimit, duke theksuar se sot, Republika e Kosovës ka nevojë për vlerësim të angazhimit dhe përkushtimit në procesin integrues, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

“Po kërkoj nga ju, Ambasador që Kosova dhe qytetarët e saj, ta kenë vendin e vet në planet e zgjerimit të BE-së për Ballkanin perëndimor”, theksoi Hoxha, duke vënë në pah se rruga jonë integruese është rruga jonë e vetme, brenda vlerave evropiane.

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë ka ri-konfirmuar mbështetjen e Qeverisë së tij, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik, për përpjekjet e Kosovës drejt Integrimit evropian.

Ai vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Integrimit, përmes projektit të asistencës teknike, i cili do të vazhdoj deri në mesin e vitit 2020.