Arbëri

Mirënjohje pas vdekjes për Jonuz Musliun

Descriptive Text

Të enjten e 25 janarit, komuna e Bujanocit, nderi me Mirënjohje, pas vdekjes (post mortum), ish - kryetarin e Kuvendit Komunal, Jonuz Musliu, i cili më 18 janar, ndërroi jetë në një spital të Edrenesë, në Turqi.

Ceremoniali i ndarjes së Mirënjohjes, u zhvillua në kabinetin e kryetarit të Komunës së Bujanocit e ku ishin të pranishëm pjesëtarët e familjes Musliu, nga Konçuli i Bujanocit, duke vizituar më pas edhe rezidencën e ish kryetarit Jonuz Musliu, i cili për disa mandate rresht qeverisi me legjislativin e vendit.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, kryeshefi i administratës lokale, Fadil Haliti dhe shefi i grupit të këshilltarëve komunal nga radhët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, dr. Adnan Salihu, ia dorëzuan Mirënjohjen djalit të Jonuzit, Fatlum Musliut, i cili përzemërsisht e falënderoi kryetarin Kamberi, për kujdesin e treguar gjatë kohës kur ishte i sëmurë babai i tij dhe përkrahjen pa rezervë që po e jep edhe pas vdekjes.

Mirënjohje të ngjashme ka ndarë edhe Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, “për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore”.

Liiderit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliut, në mars të vitit 2011, në Prishtinë, presidenti i Federatës Universale të Paqes për Evropën, Yong Cheol Song, i ndau titullin “Ambasador i paqes”, për kontributin e dhënë në rrugën e përbashkët të integrimeve mbarë shqiptare në proceset evropiane dhe euro-atlantike.