Arbëri

Hoti e Krasniqi përplasen për numrin e të punësuarve në Kosovë

Descriptive Text

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se në periudhën janar 2016-shtator 2017 Qeveria Mustafa ka hapur 46 mijë vende të punës.

“Gjate periudhës janar 2016 - shtator 2017, në Trustin Pensional janë hapur 46,000 llogari të reja kursimi. Kjo nënkupton se janë krijuar 46,000 vende të reja pune. Mund të ketë edhe formalizim të punësimit. Por, në historinë e Trustit Pensional asnjëherë nuk ka pasur rritje kaq të madhe të numrit të të punësuarve”, ka shkruar Hoti, transmeton Koha.net.

Megjithatë, një gjë të tillë e kundërshton kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, i cili pyet se a ka të papunë në Kosovë?!

“A ka të papunë në Kosovë? Ish-ministri i Financave, Hoti paska shkruar “se gjatë periudhës janar 2016 – shtator 2017, në Trustin Pensional janë hapur 46 mijë llogari të reja kursimi”. Njeriu laik edhe mund t’i besoj dhe po të ishte kështu do të ishte mrekullia vet?! Por, ish-ministri i Financave që është ekonomist me profesion do të duhej ta dinte se në vendin si Kosova për t’u punësuar brenda një viti 46.000 punëtorë, sa do të duhej të ishte ngritja ekonomike? A e dinë Ministri me na treguar, sa do të duhej të ishte ngritja ekonomike e Kosovës për t’u punësuar gjithë ata punëtor brenda një viti? Pastaj sipas statistikave të BB, sa ishte ngritja ekonomike në vitet 2016 – 2017?”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se në dy vitet e fundit në Gjermani janë punësuar mbi 50 mijë punëtorë, ndërsa thekson se në Kosovë shumë shpejt mund të ketë mungesë të krahut të punës.

“Ministri paska harruar të thotë se në dy vitet e përmendura kalendarike në Gjermani janë punësuar mbi 50.000 punëtor (vetëm në vitin e kaluar 31.300), këtu pa e përmendur ikjen e qytetarëve në fillim vitin 2015 që ishte mbi 100.000 veta. Sipas këtyre të dhënave del se numri i të pa punëve në Kosovë është tejet i vogël, mbase shpejtë mund të kemi mungesë të krahut të punës?!”, ka shkruar ai.